Është viti1948 dhe Nënë Tereza është në Kalkutë. Portreti i një vajze të re që ende nuk ishte bërë shenjtorja që njohim, na prezanton një Nënë Terezë ku besimi, ambicia dhe ndjenja e detyrës përplasen, duke e vendosur atë përballë një dileme të thellë personale. Të bëhet nënë vetë, një nënë biologjike, apo të ndihmojë fëmijët e botës?
Regjisorja Teona Strugar Mitevska shprehet: “Unë shpenzova 18 vjet për ta studiuar Nënë Terezën. Kam lindur në Shkup shumë afër shtëpisë së saj dhe gjithnjë jam mahnitur me forcën e saj, një grua shtatshkurtër që e shkund botën. Unë jam sot një grua nga Ballkani dhe desha ta tregoja këtë histori, ketë heroinë me gjithë dyshimet, po kryeneçe të fortë të ashpër dhe guximtare për të ndjekur gjithçka që do në jetë”.
Teona Strugar Mitevska është një prej autoreve më të njohura të kinemasë së Maqedonisë së Veriut. Ndër veprat e saj është edhe God Exists, Her Name Is Petrunya, film i vlerësuar me më shumë se 20 çmime ndërkombëtare, përfshirë Ecumenical Prize dhe Guild FilmPrize në Gjermani.
Ndërsa me “Mother” solli një portret intim dhe njerëzor të Nënë Terezës, që dyshon për mëmësinë, por që ngjall debate edhe më një pyetje tjetër. A është mëkat aborti dhe si trajtohet kjo temë mes vajzave dhe grave të një manastiri?
“Zakonisht fitoj çmime në mbarim të festivalit. Këtu në Tiranë e kapa çmimin që në fillim. Filmi pati premierën si pjesë e seksionit Orizzonti në edicionin e 82-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, ndërsa më pas u vlerësua edhe me Çmimin për Kontributin më të Mirë Artistik në Tokyo International Film Festival”, shprehet ajo. (A2 Televizion)