Pas publikimit të librit të Gabriel Garcia Marquez, pas vdekjes dhe pa dëshirën e tij, kanë reaguar familjarët e shkrimtarit duke shpjeguar arsyet përse zgjodhën të mos i binden porosisë së fundit të të atit.
“Deri në gusht”, është një roman i shkurtër i autorit që popullarizoi zhanrin e “realizmit magjik” të Amerikës Latine. Ai u botua në spanjisht më 6 mars, në ditën e ditëlindjes së Marquez, e më vonë edhe në anglisht.
Djali i shkrimtarit, Rodrigo Garcia Barcha, e pranon që e kanë tradhtuar dëshirën dhe amanetin e të atit, ndërsa përmend faktin se në vitet e fundit të jetës, ai kishte humbur aftësinë për të gjykuar.
"Po, ne e tradhtuam atë. Por, ju e dini, ne, gjithashtu kemi tradhtuar, një person që kishte humbur aftësitë e tij dhe kishte humbur aftësinë për të gjykuar librin. Nuk ishte i rafinuar, por ishte i përfunduar, në kuptimin që tregohej e gjithë historia dhe kishte një fund".
Libri tregon historinë e Ana Magdalena Bach, e cila çdo gusht merr një traget në një ishull për të vizituar varrin e nënës së saj.
Para vdekjes së tij në vitin 2014 në moshën 87-vjeçare, Garcia Marquez tha se libri ishte i padobishëm dhe se duhej "shkatërruar", por djemtë dhe agjentët e tij rishikuan dorëshkrimet e ndryshme dhe i konsideruan ato një vlerë letrare që mund të mos ishte perceptuar nga autori në vitet e fundit të jetës së tij, të cilat u shënuan nga humbja e kujtesës.
Familja e tij konsideron se libri ende mbart prozën e bukur të njohur të autorit dhe njohuritë e tij të thella për natyrën njerëzore.
Garcia Marquez ishte më i njohur për "Njëqind vjet vetmi", një epope dinastike e ngjashme me ëndrrat, që e ndihmoi atë të fitonte Çmimin Nobel për Letërsinë në 1982. (A2 Televizion)