“Tryezat e ambasadorit”, Paolo Foresti rikthehet në Tiranë me një libër kujtimesh

Nga Luela Myftari
13 Maj 2024, 15:36 | Kulturë

Ai ka shërbyer si ambasador i Italisë në Shqipërinë e tranzicionit. Ishin vite të vështira. Nisur nga 1992, kur vendi po përjetonte ende valën e ikjeve, dyndjen nëpër ambasada, e deri tek trazirat e vitit 1997.

Paolo Foresti është rikthyer në një vend që shenjat e komunizmit nuk i ka më aq të gjalla sa në ditën kur ai mbërriti në Tiranë për herë të parë. Mbajti shënime, sidomos takimet e rëndësishme. Dhe sot i ka përmbledhur në një vepër që e prezanton për shqiptarët. 

“Kur erdha ambasador në Tiranë, një nga vendet e para që kam vizituar janë pikërisht këto banka. Kam ardhur shpesh në këtë universitet sepse doja të dija kush ishin ata të rinj të cilët nuk e kishin braktisur vendin, kush ishin ata që kishin ëndrra, që kishin besim se ky vend do të bëhej më i mirë. Kam shpenzuar kohë me të rinjtë që kishin etje për të mësuar, për të njohur botën, e përmes mësimit edhe të ndërtonin. E shkuara ka rëndësi sepse me leximin e saj nuk bëjmë gabimet e së shkuarës dhe ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Ja përse vij tani me kujtimet e mia në këtë libër. Të bësh gabime është njerëzore, t’i kuptosh ato për të mos i përsëritur do të thotë të rritesh”, tha Foresti.

Ky libër nuk është autobiografik, por shumë nga rrëfimet shoqërohen me fotografi vendesh e personazhesh, shpesh edhe përshkrime të menusë që shoqëronte tryezat e ambasadorit, formë kjo edhe për një ndërveprim kulturor mes tij dhe vendit ku iu desh të punonte: “Përmes pretekstit për t’u ulur rreth tryezës për një diplomat veprimtaritë nuk kanë të bëjnë vetëm mbrëmjet gala apo me sekretet e shtetit, por edhe me ndërmjetësimet, ndërveprimin kulturor, historive njerëzore. Rrëfimi i kujtimeve në këtë libër vjen përmes një rendi kronologjik dhe tregon realitete të ndryshme, histori që lindin dhe zhvillohen duke u veshur me ngjyrat e vendit dhe ngjarjeve që ndodhnin në Shqipërinë e atyre viteve”. 

Diplomati i karrierës Paolo Foresti ka mbuluar detyra të rëndësishme edhe në Beograd, në vendet e Lindjes së Mesme si dhe ka në portofolin e tij profesional edhe përvojën si këshilltar diplomatik i tre ministrave për politikat komunitare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos