Gazetari Arbër Hitaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se sot ka shumë arsye për të protestuar, por eksperienca ka treguar që protesta nuk të sjell në pushtet.
“Nuk ka asgjë të keqe që opozita të protestojë. Madje, nuk ka asgjë të keqe që ta quajë si shtyllën e saj kryesore të ardhjes në pushtet protestat. Por, unë mendoj që eksperienca dhe precedenti nuk tregon këtë gjë. Që do të thotë, në zgjedhjet e kaluara, kur Partia Demokratike ka fituar herën e fundit në bashkinë e kryeqytetit, në Tiranë, ka qenë me zotin Basha në vitin 2011 dhe para zgjedhjeve të vitit 2011, zgjedhjeve që u bënë në maj në atë periudhë kohe, Partia Socialiste bëri një protestë të dhunshme dhe më pas u vranë katër persona në bulevard. Pra, udhërrëfyesi që ka Partia Demokratike, e ka të qartë. Radikalizimi në qytet, sidomos në kryeqytet, nuk shërben, nuk të sjell vota. Edhe sikur nesër të ketë zgjedhje të parakohshme, që unë nuk besoj se nuk jemi në atë situatë, edhe sikur vitin tjetër që do jenë zgjedhjet lokale, unë nuk besoj që kjo është rruga e duhur”, tha Hitaj.
“Ata kanë të drejtën e tyre që ta ndjekin këtë rrugë dhe ka shumë arsye për të patur jo protestë, por revoltë. Korrupsion në disa sektorë shumë vital dhe shumë të rëndësishëm. Por, mua nuk më duket se është kjo rruga. Gjashtë muaj nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, nga fillimi i kësaj legjislature, të futesh në një aksion që ti harxhon shumë energji, harxhon shumë burime, ndërkohë nuk e bërë ende analizën, nuk dihet ende cili do të jetë ekipi që do ketë Partia Demokratike për të qeverisur veten e saj dhe shkohet menjëherë te një qasje e tillë radikale. Mua më duket sikur qasja radikale bëhet dhe me një qëllim jo pozitiv që ka ndaj vetvetes, mosqarkullimin e elitave. Sepse nëqoftëse ti bën një protestë e cila të konfronton me policinë, automatikisht policia do kundërreagojë. Automatikisht do ketë episode dhune, automatikisht ti do forcosh krahun radikal në parti. Pra, ti e bën identikitin e atyre që do drejtojnë partinë: krahu radikal. Dhe ti nëqoftëse fut krahun radikal, ti nuk shkon drejt një hapje të partisë, nuk shkon drejt një fitoreje që e ke të domosdoshme”, shtoi gazetari.
“Por, unë mendoj që këtu ka një hile, përveçse pjesës që duhet të ketë protesta, s'kam asgjë me këtë. Më duket sikur është një hile për të përcaktuar identikitet e atyre që do jenë në qeverisjen e PD-së në periudhën 2026-2030”, deklaroi më tej Arbër Hitaj. (A2 Televizion)