Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, akuzoi ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, se po i shërben regjimit, pasi Burgjet nuk lejuan intervistën e Ilir Metës për “Off the Record”.
“Nuk mora asnjë përgjigje nga ministri i Drejtësisë për vetë faktin sepse tanimë është e qartë se ajo çfarë po ndodh me zotin Meta në paraburgim apo në izolim ekstrem politik ku ai ndodhet, është thjesht e vetëm urdhër politik i Edi Ramës”, tha fillimisht Blushi.
“Ministri i Drejtësisë mashtroi publikisht opinionin publik me pretendimet absurde, të pavërteta dhe të gënjeshtrërta që dha nga foltorja e Kuvendit, ku është një tribunë e cila si parim themelor duhet të ketë interesin publik, interesin qytetar dhe mbi të gjitha përgjegjësinë politike, por dhe atë institucionale. Unë i mirëkuptoj deputetët e Rilindjes që duan të kapen pas nenit që u garanton atyre papërgjegjshmërinë atyre që thonë, por kjo nuk ka të bëjë fare me interesin publik dhe për më tepër me përgjegjësinë institucionale, për më tepër kur kemi të bëjmë me një ministër Drejtësie, funksion i cili në fakt është mbrojtja e themeleve të sistemit të drejtësisë dhe sigurisht dhënia e garancisë që këto themele nuk mund të tronditen, pavarësisht se kush është në pushtet apo se kush e drejton qeverinë. Megjithatë, përgjigjet e tij ishin ato që priteshin nga një ministër Drejtësie i cili qartësisht përfaqëson një qeveri të kalbur dhe një regjim i cili po instalohet edhe me një sërë ligjesh që kaluan sot. Thjesht një regjim i cili nuk ka të bëjë fare as me liritë dhe as me të drejtat themelore të njeriut e jo më pastaj të flitet për çështje të cilat lidhen me mënyrën e funksionimit të institucioneve”, shtoi Blushi.
(A2 Televizion)