Gazetari denoncon situatën: Në burgje nuk ka as kushte minimale, por armët futen në qeli

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2026, 22:04 | Politikë

Gazetari Arbër Hitaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se në burgjet shqiptare nuk ka as kushtet minimale, por, sipas tij, “armët futen në qeli”.

“Për hir të së vërtetës, burgjet në Shqipëri vijojnë të jenë një problem i madh. Kjo lidhet padyshim edhe me mungesën e vëmendjes nga ana e ekzekutivit. Kjo është një gjë që e dinë të gjithë. Janë burgje që kanë probleme që nga kushtet minimale, deri tek ato maksimale. Pra, kemi parë skandale në burgje që janë vrarë njerëz, janë futur armë zjarri, diçka e pakonceptueshme, sidomos në një burg të sigurisë së lartë. Por, kjo është një anë e medaljes. Një tjetër përgjegjësi e ka dhe sistemi i drejtësisë, duhet ta themi që i ka tejmbushur burgjet e Shqipërisë. Janë më shumë të burgosur në një qeli se ç’duhet të jenë, me të gjitha normat ndërkombëtare. Pra, është një kaos i cili ka përgjegjës për kushtet fizike qeverinë, te Ministria e Drejtësisë. Që ka kushte fizike skandaloze kam dëgjuar. Nuk kam qenë ndonjëherë brenda ndonjërit prej tyre që të jap dëshminë në vetë të parë, por thonë që ka lagështirë, mungojnë tualetet, mungon uji i pijshëm herë pas here”, tha Hitaj.

“Thonë edhe që ushqimi është i keq. Por, pjesa tjetër pastaj shkojmë tek ajo që te Reforma e Drejtësisë, siç e thashë që të paraburgosurit janë në një numër jashtëzakonisht shumë të lartë dhe është bërë një modë vitet e fundit që gjithmonë shkohet në burg, pastaj vijojnë hetimet. Pra, në këtë situatë absurde jemi”, shtoi gazetari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos