Ilirjan Celibashi zbuloi se si do të vijojë saga e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Procesi i ankimimeve me vendimet për rinumërime kishte krijuar disa të panjohura, që kërkonin informacion nga KQZ.
“E gjithë procedura do të marri të paktën për qarkun e Tiranës dhe të Fierit, do të marrë ndërmjet 18-20ditë dhe duket që të paktën edhe gjysma e parë e muajt gusht do të na gjejë të angazhuar me procesin zgjedhor të 11 majit”, tha Celibashi.
Rinumërimit nuk do të ndodhë pa kosto, pasi krahas stafit të KQZ, do të ketë edhe kontraktime të përkohshme, por Celibashi tha se në finale ka arritur të kursejë shuma të konsiderueshme nga taksat e qytetarëve.
“KQZ nuk do të kërkoj fonde shtesë për këtë proces. kemi kursyer mjaftueshëm fonde nga kontrata që kemi me operatorin e shërbimit postar”, tha Celibashi.
Paratë e kursyera për shkak të moszbatimittë kontratës nga operatori postar për votimin nga jashtë, sipas Celibashit nuk do të thotë se nuk janë respektuar standardet për votën e diasporës, shkruan A2 CNN.
“Sa para keni kursyer nga kontrata me DHL dhe këto para të kursyera do të thonë se procesi nuk ka shkuar mirë, ka shkuar keq? Procesi i votimit nga jashtë ka shkuar shumë mirë. I kuptoj pretendimet e kujtdo subjekti zgjedhor në lidhje me këtë proces, pa patur problematika. Por duke i kalkuluar edhe efektin e këtyre problematikave, procesi i votimi nga jashtë është zhvilluar në mënyrë model. Nëse nuk gaboj janë tek rreth 3 milion euro të kursyera”, u shpreh kreu i KQZ.
Problematikat me procesin e votimit nga jashtë, veçanërisht Greqisë, janë pjesë e argumenteve me të cilat opozita kërkon pavlefshmëri zgjedhore, por numerikisht, fletët e mbërritura nga fqinji ynë jugor, nuk prodhuan asnjë ndryshim mandati. (A2 Televizion)