Padia për shpifje nga Gjoka, SPAK e merr në pyetje, Berisha vijon akuzat për 11 majin

Nga Anesti Barjamemaj
10 Qershor 2025, 15:13 | Politikë

Me urdhër të prokurorit Elvin Gokaj, Sali Berisha u paraqit sërish në SPAK. Këtë herë, jo si person në hetim, por me një status tjetër: person që ka dijeni për një krim.

Për gati një orë, kryedemokrati u mor në pyetje lidhur me deklaratën e tij në adresë të gjyqtares Irena Gjoka, të cilën e kishte pyetur publikisht nëse ajo kishte marrë një shumë të madhe parash nga një ish-zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, që të mos e përfshinte në një dosje kriminale. Si përgjigje, Berisha mori një padi për shpifje.

"Me dënime, me dëbime, e mashtrime, delinkuente, konsideron fyerje pyetjen që unë i bëj. Me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Troplinit, ajo bën kallëzim ndaj meje. Tani, ky është sistemi", tha Berisha.

Sipas Berishës, i përfshirë në këtë padi kundër tij është edhe Altin Dumani, të cilin e akuzon se po mbron kriminelët duke mos zbatuar urdhër-arrestet. Jo vetëm nga dera e SPAK-ut, por edhe nga selia blu, Berisha e drejtoi gishtin e akuzës ndaj Dumanit për atë që e quan farsë elektorale, shkruan A2 CNN.

"Nuk ka asnjë përgjegjësi SPAK-u. Për SPAK-un ekziston mbulesa. Altin Dumani është bashkautor në krimin elektoral me Edi Ramën. Altin Dumani është bashkautor. Me dhjetëra e dhjetëra raste, ai i mbuloi të gjitha", u shpreh kreu demokrat.

Para mediave, Berisha doli për të denoncuar fenomenin e ashtuquajtur "treni bullgar", një metodë manipulimi në zgjedhje që thotë se e ka evidentuar në Elbasan.

"Këta janë një grup kriminal brenda qendrës së votimit, komisionerë të partisë së krimit. Qendra e votimit është në një kafene, shikojeni... Ja fleta e votimit... Ja, merr vulën e vulos fletën e votimit. Si në filma, sikur ta kishin xhiruar. Tani vjen me vulën e dytë këtu. E vulos. Tani po fsheh krimin. E fut në banak, poshtë fletën e votimit", tha Berisha.

Lideri i PD shtoi se ngjarja ka ndodhur në një fshat të Elbasanit, por nuk sqaroi përse komisionerët e opozitës nuk kanë reaguar për të ndalur këtë fenomen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos