Sali Berisha, në një konferencë për mediat këtë të martë, publikoi pamje të pretenduara sipas tij që tregojnë qartë realizimin e “Trenit Bullgar” në 11 maj, shkruan A2 CNN.
“Tani, siç paralajmërova, në farsën elektorale të 11 Majit u përdorën të gjitha metodat për manipulimin e zgjedhjeve, njëra prej të cilave përdoret gjerësisht nga Putini dhe Lukashenko dhe njihet me emrin e Trenit Bullgar.
Me të drejtë dje, një gazetare pyeti këtu se ku është treni. Unë sot kam sjellë Trenin Bullgar para jush dhe qytetarëve shqiptarë.
Ju do shihni se si kriminelë elektoralë brenda qendrës elektorale realizojnë atë mekanizëm manipulimi që quhet Tren Bullgar, që i bën zgjedhjet tërësisht të pavlefshme, që kontrollon tërësisht vullnetin e qytetarëve.
Këta janë një grup kriminal brenda qendrës së votimit, komisionerë të partisë së krimit.
Qendra e votimit është në një kafene, shikojeni...
Ja fleta e votimit...
Ja, merr vulën e vulos fletën e votimit. Si në filma, sikur ta kishin xhiruar.
Tani vjen me vulën e dytë këtu. E vulos.
Tani po fsheh krimin. E fut në banak poshtë fletën e votimit.
Me gjakftohtësi të paparë.
Është po ky... tani e nxjerr fletën e votimit, do e çojë në destinacion.
Shikojeni, ia dha tjetrit jashtë qendrës. Edhe njëherë, aty po voton ai”, tha Berisha.
Si funksionon “treni bullgar”:
Një person i paguar ose i kontrolluar nga organizatorët e manipulimit hyn në qendër votimi me një fletë votimi tashmë të mbushur (jashtë qendrës së votimit, fletë që është siguruar më parë në mënyrë të paligjshme).
Ai fut fletën e votuar në kuti, ndërsa fletën e bardhë që merr zyrtarisht, e nxjerr jashtë (fshehur në xhep ose rroba) dhe e dorëzon tek organizatorët.
Organizatorët i japin këtë fletë të bardhë personit tjetër, i cili e mbush sipas dëshirës së tyre dhe cikli vazhdon.
Metafora e “trenit” vjen sepse ky proces krijon një zinxhir të pandërprerë, ku çdo votues i kontrolluar sjell një fletë jashtë dhe fut një tjetër brenda, si vagonë që ndjekin njëri-tjetrin.
Pse quhet bullgar?
Sepse kjo metodë u dokumentua gjerësisht për herë të parë në Bullgari pas viteve ’90, gjatë zgjedhjeve me akuza masive për manipulime. Më vonë u përhap në shumë vende të Ballkanit dhe të Europës Lindore.
Në Shqipëri, termi është futur në zhargonin politik, gazetaresk dhe opozitar, për të përshkruar çdo formë zinxhir manipulimi të organizuar të votës, sidomos në zona të caktuara ku shitet ose kontrollohet vota në mënyrë masive. (A2 Televizion)