
Deputeti demokrat, Besart Xhaferri, teksa lexoi shifrat e INSTAT për ikjen e të rinjve deklaroi se universitetet po zbrazen. Sipas tij qeveria është përgjegjëse për tkurrjen e numrit të të rinjve dhe shtoi se kjo është drama më e madhe që mund t’i ndodhë një kombi.
“Shifrat më të fundit të INSTAT për vitin akademik 2025–2026 janë dëshmia më e qartë e dështimit të politikave të qeverisë Rama ndaj arsimit, rinisë dhe të ardhmes demografike të Shqipërisë.
Faktet janë tronditëse: Në vetëm 10 vite, universitetet shtetërore kanë humbur afro 31% të studentëve të tyre. Nga 116.8 mijë studentë në vitin 2016, sot kanë mbetur vetëm 81 mijë. Vetëm gjatë vitit të fundit akademik, universitetet publike humbën edhe 6.8% të studentëve të tyre.
Kjo nuk është thjesht rënie statistikore. Kjo është një kambanë alarmi kombëtar.
Por treguesit bëhen edhe më dramatikë kur shohim: Brenda një dekade, numri total i studentëve në universitetet shqiptare është tkurrur nga 141.4 mijë në vetëm 115.7 mijë studentë. Pra, një rënie totale prej 18%.
Dhe kjo është përgjegjësi politike. Qeveria Rama do të mbahet mend si qeveria që, në vend që të investonte tek rinia dhe arsimi publik, lejoi boshatisjen e universiteteve, largimin e trurit dhe shkatërrimin gradual të së ardhmes së vendit”. (A2 Televizion)