Nga “Rithemelimi” në “Ripërtëritje”, detajet e agjendës së Kuvendit Kombëtar të PD

Nga Anesti Barjamemaj
29 Maj 2026, 15:40 | Politikë

“Ne finalizojmë me Kuvendin tonë Kombëtar procesin e zgjedhjeve në PD dhe sanksionojmë bazat për një transformim të vërtetë të PD. Transformim i cili parakupton apo nënkupton ripërtëritjen e forcës tonë politike”. Deklaratat e vazhdueshme të Sali Berishës për ripërtëritje të partisë janë dëgjuar dhe janë mbajtur shënim nga organizatorët e Kuvendit Kombëtar.

Gati 5 vite nga Rithemelimi, demokratët duket se kanë një slogan të ri. Kuvendi i 30 majit do të ketë në qendër fjalën “Ripërtëritje”, shkruan A2 CNN. Dhe ripërtëritja vjen si fillim nga ndryshimet në statut. Sipas agjendës së siguruar nga A2CNN, do të jetë Gazment Bardhi ai që do të prezantojë ndryshimet statutore të miratuara nga Kryesia.

Kryetari i rizgjedhur i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të ketë hapësirën e tij për të folur në Kuvend. Por delegatëve do u drejtohen me mesazhe edhe zyrtarë e përfaqësues nga partitë simotra të Partisë Demokratike.

Delegatëve do t’u prezantohen dy platforma, gjithnjë në frymën e modernizimit të partisë. Një ka të bëjë me procesin e digjitalizimit të partisë. Platforma tjetër i dedikohet ekskluzivisht diasporës, të cilës demokratët synojnë t’i kushtojnë vëmendje të dedikuar në këtë përpjekje për të ripërtërirë partinë. Delegatët e Kuvendit do të zgjedhin edhe anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, ku do të kenë mundësi të votojnë mes emrave të propozuar nga kryetari, kryesia, propozimet e degëve, si dhe më të votuarit e këshillit kombëtar që tashmë i ka mbaruar mandati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos