Në 34-vjetorin e themelimit të Partisë Republikane, kryetari Fatmir Mediu shprehu arritjet, por edhe sfidat me aleatin kryesor, Partinë Demokratike.
Para zgjedhjeve të 11 majit, Mediu theksoi se shtyllat kryesore të republikanëve janë dhe mbeten besimi në Zot, ruajtja e vlerave të familjes dhe e pronës private.
“Ne bëmë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Këtu në Tiranë, në krah të kryeministrit Berisha, presidenti George W. Bush ka vlerësuar dy gjëra të rëndësishme që duhet patjetër t’i shikojmë ashtu siç ishin dhe ashtu siç duhet të jenë. E para, deklaroi Shqipëria, në NATO; e dyta, Kosova e Pavarur. Këto janë momente historike, të cilat, padyshim, duhet të na bëjnë të ndihemi krenarë, por dhe duhet të na bëjnë të mendojmë thellë, sa larg jemi asaj që duam, asaj që ndërtuam dhe asaj që duhet të jetë për Shqipërinë,” tha zoti Mediu.
Shtyllat kryesore të fjalës së Kryetarit të Partisë Republikane ishin besimi në Zot, prona private dhe ruajtja e vlerave të familjes, tre pika orientimi të cilat janë goditur nga qeverisja aktuale gjatë dekadës së fundit, por që republikanët i konsiderojnë si forcën e vërtetë që do të ndihmojë shoqërinë shqiptare për t’u ringritur. “Prindërit nuk janë numra dhe nuk mund të bëhen të tillë. Janë prej mishi dhe prej gjaku, janë jeta dhe shpirti ynë. Është e papranueshme që të pranojmë shkatërrimin e familjes duke i shndërruar ata në numra: prindi 1, prindi 2, prindi 3. Kjo s'ka të bëjë me shqiptarët, kjo s'ka të bëjë me ne. Prandaj, ne duhet të ruajmë fort vlerat tona familjare dhe respektin për prindërit tanë. Besimi në Zot dhe familja formësuan kombin shqiptar dhe kam bindjen se janë forca për ta ringritur përsëri atë,” u shpreh zoti Mediu.
Në këto 34 vjet të rrugëtimit politik, Partia Republikane i ka qëndruar besnike aleancës me Partinë Demokratike dhe tani, para zgjedhjeve sfiduese të majit, të cilat janë jetike për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, e përkufizoi bashkëpunimin 34-vjeçar mes republikanëve dhe demokratëve si një histori të përpjekjeve të mëdha për liri, duke bërë së bashku të pamundurën të mundur. “Shqipëria, pré e të gjitha ambicjeve të perandorive dhe të fqinjëve, u anëtarësua në NATO, në aleancën më të fuqishme ushtarake dhe politike të kohërave. E kam thënë dhe e them: Fatmir Mediu ka qenë një promotor jashtëzakonisht i rëndësishëm në atë proces që shumë-shumë të tjerë e konsideronin të pamundur, të pabesueshëm, për të mos thënë të tjerë që e prisnin me protesta dhe portretet e Enver Hoxhës, një akt madhor në historinë e kombit tonë,” tha zoti Berisha.
Kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga dita e zgjedhjeve, por me besim për triumfin e opozitës, zoti Berisha dha një mesazh të fortë për sfidën kryesore me të cilën duhet të përballen tani PD, PR dhe opozita. “Të dy partive tona, u takon ajo që rrallë ndonjëherë në histori, dhe unë nuk di ndonjë rast tjetër, të përballen me një diktaturë të dytë, tashmë jo të bazuar në doktrinën marksiste-leniniste, por të bazuar në kodet e mafias, të bazuar në kodet e narko-shtetit. Nuk ka gjë në botë që do të pengojë opozitën fitoren e saj, vendosmërinë e saj të hekurt për të rivendosur ligjin, shtetin ligjor, të drejtat e qytetarëve shqiptarë, integrimin dhe bashkimin në Bashkimin Europian,” u shpreh lideri i opozitës. (A2 Televizion)