“Sa kohë që në PD do të ketë njerëz që nuk mendojnë për partinë, për demokratët, për Shqipërinë, por mendojnë vetëm për karrigen e vet, këto rezultate do të ketë”.
Kështu u shpreh Dash Sula, ish-deputet i PD-së, në studion e A2 CNN, duke komentuar rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Shqipëri.
Sula theksoi se po vazhdoi PD-ja ta kërkojë fajin te të tjerët, nuk do të ketë të ardhme.
“Nuk vazhdohet me justifikime. Në 2021 humbëm dhe nuk bëmë analizë, kjo më shqetëson. Unë kam një qasje ndryshe nga të tjerët në politikë, por edhe në jetën time familjare. Shikoj një herë se çfarë kam bërë unë dhe nuk e shikoj fillimisht fajin te tjetri. Duhet të korrigjohesh vetë në fillim dhe pastaj ta kërkosh fajin te kundërshtari. 4 gjëra e kanë varrosur PD-në në këto zgjedhje: opozita e përçarë; cilësia e listës së kandidatëve, duheshin ushtarë dhe jo gjeneralë; Berisha që e ka mbyllur misionin e vet, duhej figurë tjetër për kryeministër; SPAK-un duhet ta kishte aleatin më të mirë”, tha Sula.
(A2 Televizion)