Kryeministri Edi Rama përmes një fotoje të publikuar në Facebook ka treguar se ka pasur një komunikim telefonik me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet prej më shumë se 4 vitesh në parburgim në Hagë.
Telefonata e ish-komandantit të UÇK-së nga Haga për Ramën vjen në mes të një atmosfere festive në Partinë Socialiste, e cila me 2267 QV të numëruara është duke dalë fituese me 52.66% të votave nga zgjedhjet e 11 majit dhe do të qeverisë vendin për një mandat të katërt.
“Telefonata e vëllaut tim Hashim ishte tejet prekëse dhe Komandanti ishte në formën e vet më të mirë”, shkruan Rama përkrah fotos.
Por ajo çka rrëmben vëmendjen në ekranin e kompjuterit të kryeministrit është fjalimi, me shumë gjasë i fitores, ose ai që Rama do të mbajë më 16 maj nga sheshi Skënderbej, ku do të presë liderët e Bashkimit Europian në samitin e përbashkët që zhvillohet në Tiranë.
Kryeministri është duke shkruar: “Tiranë e dashur, Shqipëri e shtrenjtë...”. (A2 Televizion)