4 milionë euro për Kanye West, Malaj: Kush mban përgjegjësi nëse vendimi është antikushtetues?

Nga A2 CNN
11 Korrik 2026, 21:01 | Politikë

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deklaroi se nga buxheti i shtetit nuk duhet paguar asnjë detyrim që nuk ka bazë kontraktuale, duke iu referuar koncertit të Kanye West në Tiranë.

“Nga buxheti i shtetit nuk paguhet asnjë detyrim që nuk ka një bazë kontraktuale dhe mrekullia e këtij aktiviteti, ku shpresohet të ishin 60 000 dhe 25 000 të ishin të huaj është totalisht euforike, siç i bën kryeministri të gjitha projektet dhe nuk e kam dëgjuar njëherë të thotë “na falni se i bëmë gabim”. Kë po financojmë? Po financojmë këngëtarin? Jo. Sepse këngëtari e ka kontratën me organizatorët. Nuk dihet kush janë organizatorët dhe u tha që është edhe një shqiptar. Djalli qëndron në detaje. Kush kërkoi para? A ka një letër në Kryeministri? Përse ne duhet të investojmë një aktivitet 100% privat? Këngëtari ka një pasuri neto 400 milionë dollarë. Është shumë i suksesshëm në këndvështrimin e tij, se është një këngëtar bipolar. Pra, pikërisht se është bipolar, me këngët që bëri pro Hitlerit kompanitë e mëdha ndërkombëtare ia ndërprenë kontratat dhe pasuria e tij nga 2 miliardë dollarë u katandis 400 milionë dollarë. Kështu që, në këtë aspekt nuk po financojmë këngëtarin. Këngëtari do i marrë parat e tij qindarkë më qindarkë nga organizatorët. Presioni për para është bërë nga organizatorët”, tha Malaj në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.

Më tej, ai theksoi se akti normativ është antikushtetues.

“Nuk plotëson asnjë kriter të nenit 101. Kush duhet të përgjigjet nëqoftëse shpallet antikushtetues? Në parim, qeveria dhe Parlamenti mbajnë vetëm përgjegjësi publike, por në rastin e keqpërdorimit të parave buxhetore, përgjegjësia ligjore ka tre ministra konkretë. Ministri propozues i këtij akti antikushtetues, i cili edhe kundërfirmos. E dyta, në aspektin e funksionimit kushtetues të shtetit, i dyti është ministri i Drejtësisë. Ka mision të mbrojë respektimin strikt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ministri tretë është ministri i Financës, që ka detyrimin ligjor të mbrojë përdorimin efikas dhe tërësisht ligjor të taksave të mbledhura. Kush përfiton? Po të shikojmë nga reklama përfiton kryeministri dhe ministri i Turizmit. Problemi është a përfitojnë vetëm politikisht apo ndërmjetësit kanë bërë punën e tyre për aq kohë sa korrupsioni quhet epidemik dhe për aq kohë sa kapja e shtetit gjendet në të gjitha dokumentat zyrtare. Përfitojnë organizuesit e aktivitetit privat për përfitime private dhe ky konsiderohet kapitalizëm klientelist, që do të thotë që përfitimet i marrin individët, kostot i mbeten taksapaguesit. Sigurisht, unë dyshoj dhe duhet një hetim i plotë që nuk është vetëm ndihma 4,2 milionë. Janë shumë elementë të logjistikës me kosto të konsiderueshme që qeveria do ia ketë vënë në dispozicion pa shpërblim dhe mendon se nuk do të japë llogari”, shtoi Malaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos