“4.4 miliardë euro nga turizmi në 9 muaj”, Rama: Rritje e ndjeshme e të ardhurave dhe turistëve

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2025, 12:40 | Politikë

“4.4 miliardë euro nga turizmi në 9 muaj”, Rama: Rritje e

Një tjetër pikë e rëndësishme në konferencën vjetore të kreut të qeverisë ishte edhe turizmi, i cili sipas Edi Ramës ka shënuar një rritje prej 7% të numrit të vizitorëve të huaj, krahasuar me vitin 2024. Ai theksoi se të ardhurat nga turizmi gjatë 9-mujorit të parë të vitit arrijnë rreth 4.4 miliardë euro, duke reflektuar performancë të konsiderueshme ekonomike.

“Te turizmi kemi një hop tjetër domethënës, krahasimisht me vitin 2024, ku shënohet një rritje që i afrohet 7% që është një rritje domethënëse përsa i përket numrit të vizitorëve të huaj flas, nuk flasim për pasaportat shqiptare. Të ardhurat nga turizmi kanë qenë domethënëse. Në 9-mujorin e parë ato vlerësohen rreth 4.4 miliardë në euro”, u shpreh ai.

Rama nënvizoi gjithashtu rritjen e hapësirës së plazheve publike, e cila është zgjeruar me rreth 18%, ose 1.1 milionë metra katrorë shtesë, duke kaluar nga 523 parcela ranore në 1014. 

“Kemi pasur një rritje të konsiderueshme të hapësirës së plazheve publike me rreth 18% plus, krahasuar me një vit më parë, ose 1.1 milionë metër katrorë më shumë plazhe publike të shtuara. Nga 523 parcela ranore publike kemi shkuar në 1014 dhe në ndërkohë kemi vazhduar punën tani që flasim për sezonin e ardhshëm me disa risi të tjera pozitive në këtë drejtim”, theksoi kreu i qeverisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos