"Skandal", Rama jep shifrat: Kemi më shumë të paraburgosur se të dënuar

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2025, 12:19 | Politikë

"Skandal", Rama jep shifrat: Kemi më shumë të

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit, foli për numrin e të paraburgosurve në vendin tonë.

Sipas tij, “Shqipëria është vendi më skandaloz i Këshillit të Europës” në këtë aspekt.

“Numri i njerëzve që gjenden në burg në Shqipëri pa qenë akoma të dënuar, të cilët në kuptimin e Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, është më i madh se numri i atyre që janë në burg të dënuar. Këta janë të pafajshëm, por janë në burg. Ne kemi 4 492 qytetarë në burgjet shqiptare, a e besoni dot që vetëm 1895 janë të dënuar? Çfarë është kjo? Jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve, jemi vetëm me Rusinë mbrapa, por Rusia u përjashtua. Kemi 1895 të dënuar dhe 4992 të burgosur. Në Shqipëri, falë edhe tenxhereve politike e mediatike nuk ka ta pafajshëm”, tha Rama, shkruan A2.

Sipas kryeministrit, “ka të dënuar para se të dënohen, që në momentin që dyshohen”.

“E kuptoni çfarë është kjo për një vend që e ka kaluar një herë këtë traumë. Kjo shifër tregon që në Shqipëri, probabiliteti që ti të gjendesh në burg si i dënuar është më i lartë se probabiliteti që ti të shkosh në burg si fajtor. Si qenka kjo që në një vend në mes të Europës, individi mos të ketë të drejtën e një gjyqi”, u shpreh më tej Rama.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos