"SPAK nuk është opozita e qeverisë”, Rama: Tymnajë e dezinformim

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2025, 12:00 | Politikë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se SPAK nuk mund të konsiderohet opozita e qeverisë, duke e cilësuar si një institucion të pavarur, të krijuar dhe mbështetur nga qeveria aktuale. Në konferencën e fundvitit kreu i qeverisë theksoi se opozita bën që puna e SPAK-ut të jetë e vetmja pikë referimi e për të goditur qeverinë.

“SPAK nuk është opozita e qeverisë, është institucion i ri, i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse, i mbështetur nga ne, i garantuar nga kjo forcë qeverisëse, në sensin që të tjerë janë betuar që do ta shkrinin, por nuk e shkrinë dot sepse votat i kemi ne. Është institucion që bën punën e vet. Nuk është opozitë e qeverisë, por depresioni i thellë në të cilin ndodhet opozita e qeverisë, opozita politike, bën që puna e SPAK të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depresive për të goditur qeverinë”, u shpreh Rama

 Sipas tij gjysmë të vërtetat dhe dezinformimi i përhapur nga mediat dhe aktorët politikë krijojnë një “tym të jashtëzakonshëm” që deformon perceptimin e publikut.

“Natyrisht, 700 tenxheret politike dhe mediatike, produktin e gjithë këtij procesi e marrin dhe e ziejnë dhe gatuajnë 700 lloj gjellërash të ndryshme duke bërë diçka që nuk ndodh në Shqipëri për herë të parë, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta, për të prodhuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut që shurdhon publikun me presionin  e vet dhe dezinformon publikun thellësisht. Prandaj thonë që gjysmë e vërteta është edhe gënjeshtra më e madhe. Është neveri e madhe që ka një aktivitet kaq intensiv gjysmë të vërtetash nga njerëz që nuk dinë të bëjnë punën e tyre, nuk dinë të bëjnë opozitën e qeverisë. Nuk dinë ta mundin PS. Askush nuk bën analizë lidhur me cila është e vërteta në gjithë punën e SPAK? Sepse e vërteta është ndryshe nga kjo që thuhet, SPAK nuk është opozita e qeverisë dhe cilat janë anët pozitive dhe negative të punë së SPAK”, tha Rama.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos