
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se në 3 mandatet e Partisë Socialiste, 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre. Këtë të fundit, Rama e cilësoi një “nocion i cili duhet të rishikohet”.
Sipas tij, SPAK “ka dhënë dënime skandaloze”, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore dhe shtoi se “mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe”.
“Jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE-së, sepse është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthye nocionit me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë”, tha Rama, shkruan A2.
“Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është për turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion”, shtoi Rama.
“Çfarë do të thotë mesazhe, që kur mesazhet janë prova? Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq: çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgu ka evidentuar gjëra të rënda”, shtoi kryeministri.
(A2 Televizion)