
Aeroporti i Rinasit ka regjistruar rreth 9.26 milionë pasagjerë gjatë 8 muajve të vitit 2026. Vetëm gjatë muajit gusht, fluksi arriti në rreth 55 mijë pasagjerë në ditë.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, gjatë një vizite në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” së bashku me kryepolicin Hita, tha se rritja e numrit të udhëtarëve kërkon forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknologjike.
"Ne do punojmë fort që ta shtrijmë përdorimin e teknologjisë në të gjitha shërbimet, jo thjesht kufitare, për të rritur efikasitetin, për të garantuar sigurinë publike dhe për të krijuar një eksperiencë të re referimi për qytetarin në territorin e Shqipërisë”, tha ai.
Sipas tij, përdorimi i sistemeve teknologjike, përfshirë e-Gate, ka ndihmuar në përpunimin më të shpejtë të udhëtarëve.
Demo bëri të ditur gjithashtu se po vlerësohet forcimi i Komisariatit të Rinasit, për të përballuar flukset e pritshme gjatë sezonit të festave dhe atij turistik.
“Së bashku me drejtorin, ne po shohim mundësinë që të përgatitemi edhe më mirë për sezonin e festave dhe sezonin tjetër turistik, duke përforcuar Komisariatin e Rinasit, për të përballuar fluksin e turistëve që tashmë Shqipëria pret”, u shpreh ministri Demo referuar nevojës për forcimin e burimeve njerëzore. (A2 Televizion)