
Debatet dhe kundërshtitë e shumta, edhe mes tyre në nivel vendor, nuk kanë stepur socialistët sa i përket Hartës së re Territoriale.
Përkundrazi, ritmi i procedurës parlamentare parashikohet të jetë i përshpjetuar. Gjithçka nis në Konferencën e Kryetarëve të hënën dhe më tej në Komisionin e Ligjeve me miratimin e kalendarit të punës për Reformën Administrative Territoriale, që socialistët parashikojnë ta votojnë në seancë plenare të enjten e 8 tetorit, shkruan A2.
Burimet kanë shtuar se afati maksimal do të jetë e datës 15 për shkak dhe të llogaritjes së afateve para zgjedhjeve vendore për të lënë afatet e duhura në përgatitjen e procesit elektoral.
Diskutimet parlamentare do të zgjasin vetëm dy javë dhe nisin të mërkurën e 23 shtatorit me prezantimin në parim të ndarjes së re të propozuar nga PS, ku reduktohen 15 bashki. Seancat dëgjimore janë parashikuar të zhvillohen me:
1. Këshillin e Ministrave
2. Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë
3. Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë
4. Ekspertë të qeverisjes vendore.
Të gjitha në një ditë të vetme, programuar për më 28 shtator. Një javë i lihet diskutimitnen për nen dhe miratimit në tërësi nga Komisioni i Ligjeve më 5 tetor, për t’ia kaluar seancës së 8 tetorit, ku PS duhet të bëjë përsëri 84 votat e nevojshme.
Më tej, do të jetë koha në dispozicion të Presidentit për shqyrtim dhe dekretim e më tej hyrjen në fuqi.
Propozimi i PS redukton bashkitë nga 61 aktualisht në 46, duke shkrirë Fushë-Arrëzin, Klosin, Rrogozhinën, Dimalin, Poliçanin, Patosin, Divjakën, Selenicën, Maliqin, Këlcyrën, Memaliajn, Libohovën, Cërrikun, Belshin dhe Përrenjasin.
Nga ana tjetër, PD propozon një hartë me 100 bashki, duke sfiduar mazhorancën që të dyja propozimet të hidhen në referendum. (A2 Televizion)