Që në rastin e dekretimit të Diellës, si ministre virtuale të Inteligjencës Artificiale, Partia Demokratike ka propozuar shkarkimin e presidenti Bajram Begaj, krahas kryetarit të kuvendit Niko Peleshi. Në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, deputeti demokrat Ivi Kaso zbuloi strategjinë e opozitës pas dekretit të kreut të shtetit për zgjedhjet e pjesshme lokale.
“Unë e kam kërkuar para dy javësh shkarkimin e Presidentit Begaj. Kur po vendoseshin masat që po ndërmerreshin krahas zërave për shkarkimin e kryetarit të kuvendit Niko Peleshit, propozimi im ishte inicimi i procedurave për shkarkimin e presidentit që dekretoi një program kompjuterik si ministër. Kujt po i duhet presidenti as noteri nuk e bën atë”.
Sipas tij PD do të duhet të marrë një vendim politik që të hyjë në proces zgjedhor në kushte të vështira për çdo opozitë që pretendon garë të barabartë e me rregulla loje.
“Dilema është politike dhe etike. Data e zgjedhjeve ka për të mbetur de facto 9 nëntor. PD do të duhet të marrë një vendim politik që të hyjë në proces zgjedhor të vesuar në kushte të vështira për çdo opozitë që pretendon garë të barabartë e me rregulla lojë, sepse farsa zgjedhore që lamë pas tregon se një qeveri që ka përgjegjësi të organizojë zgjedhje me standarde, gjëja e fundit është që ta organizojë siç e parashikon ligji. Kritikat ndërkombëtare ishin ato të një gare të pabarabartë. Këto do ishin motiv shqetësimi për çdo lloj opozite për t’u futur në zgjedhje”, tha Kaso në A2 CNN, teksa solli në vëmendje situatën e krijuar në Bashkinë e Himarës.
“Opozita ka si mision detyrë e vokacion dhënien e alternativës betejën me çdo mjet që ka në dispozicion pavarësisht kushteve. Edhe në këtë kontekst kemi patur një situatë analoge po nga ky president për Bashkinë e Himarës. Për këto zgjedhje GJK ende nuk e ka dhënë fjalën e saj. Nuk ka patur vendimmarrje që ta ndante këtë punë”.
Edhe avokati Indrit Sefa e cilësoi marrëzi juridike dekretimin e datës së zgjedhjeve nga presidenti Begaj.
“Opozita duhet të bëjë betejën e saj për shkarkimin e presidentit. Kjo që ka bërë sot është në tejkalim të çdo norme ligjore. Marrëzi juridike”.
(A2 Televizion)