“Je robot i Ramës”- Bardhi ‘sulmon’ Presidentin Begaj pas dekretimit të datës së zgjedhjeve: Ke rrënuar autoritetin e ‘Kushtetueses’

Nga A2 CNN
1 Tetor 2025, 16:38 | Politikë

“Je robot i Ramës”- Bardhi ‘sulmon’ Presidentin

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën 9 nëntor të këtij viti për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka shkruar se me lëvizjen e sotme, Begaj ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, shkruan A2 CNN.

Duke thënë më tej se Begaj është marrë peng nga Rama, Bardhi shtoi se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë nëse ndërprerja e mandatit të ish-kryebashkiakut Erion Veliaj është ose jo në përputhje me Kushtetutën.

Deklaratat e Bardhit erdhën pasi Veliaj vendosi më herët ta ankimojë vendimin e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese.

Postimi i Gazment Bardhit:

Asnjë surprizë nga Bajram Begaj!

Ashtu siç kishim paralajmëruar, Bajram Begaj nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama. Me shkeljen e rëndë që ka kryer sot ndaj Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka kryer një puç kushtetues sepse ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe themelet mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës.

Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës. Juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë dhe kjo i nënshtrohet kontrollit kushtetues.

Askush në 35 vjet demokraci nuk e ka dëmtuar kaq shumë reputacionin e Kreut të Shtetit. Arsyet janë tërësisht banale: Edi Rama ka marrë peng Bajram Begajn, dhe e komandon atë njëlloj si “Diellën”! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos