Në daljen e tij nga SPAK-u, ku zbatoi vendimin e drejtësisë për detyrim paraqitje, kryedemokrati Sali Berisha komentoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit dhe i dha përgjigje pyetjes, nëse do të jetë ai deputeti që do të çelë seancën e parë parlamentare të Kuvendit të ri, në muajin shtator.
Berisha e hodhi poshtë këtë mundësi për të çelur Parlamentin, edhe pse është deputeti më i vjetër i legjislaturës së re. Kreu i PD deklaroi se nuk mund të marrë një rol të tillë, pasi sipas tij Parlamenti është produkt i një procesi zgjedhor të manipuluar.
“Unë vazhdoj betejën kundër kësaj vjedhje më monstruoze në 32 vite në historinë pluraliste. Vjedhja ka qenë e paralajmëruar, pasi është denoncuar në 4 rezoluta ndërkombëtare. Vijojmë betejën deri në kthimin e votës së lirë për qytetarët. Nuk do mund të ndodhë ndonjëherë që të hap seancën. Vjedhja ka ndodhur me vendime qeverie, pa e fshehur”, deklaroi Berisha. (A2 Televizion)