Ditë të vështira në horizont, KE parashikon ngadalësim të ekonomisë shqiptare

Nga Marjo Brakaj
19 Maj 2025, 15:21 | Ekonomi

Ekonomia e Shqipërisë do të rritet më ngadalë në dy vitet e ardhshme. Nga rreth 4 për qind në 2023-shin e 2024-n, Prodhimi i Brendshëm Bruto pritet të zgjerohet me 3.6 dhe 3.5 për qind në 2025-n dhe 2026-n.

Në raportin e pranverës ku skanohen ecuria dhe pritshmëritë e ekonomisë shqiptare, Komisioni Evropian paralajmëron madje se shifrat mund të jenë edhe më të ulëta, duke nënvizuar edhe shkaktarët e mundshëm.

“Kjo perspektivë është e ekspozuar ndaj rreziqeve të lidhura me ndryshimet në kursin e këmbimit dhe normat e interesit, si dhe mungesat në rritje të fuqisë punëtore të kualifikuar të ndikuara nga emigracioni. Si një ekonomi e vogël e hapur, Shqipëria është e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme që lidhen me ndikimin ekonomik të tarifave mbi partnerët kryesorë tregtarë në BE, si Italia. Për më tepër, pasiguria globale dhe rreziqet gjeopolitike mund të ndikojnë në flukset e Investimeve të Huaja Direkte.”

Veç atyre të jashtëm, ekonomia shqiptare kërcënohet edhe nga zhvillimet e brendshme. Hovi që dha rritja e pagave në administratën publike po shuhet.

“Rritja e konsumit publik pritet të ngadalësohet me përfundimin e efektit të reformës së pagave, ndërsa konsumi privat, i mbështetur nga rritja e pagave reale dhe përmirësimet në tregun e punës, pritet të mbetet i fortë. Rritja e investimeve do të mbështetet nga kushte të favorshme financiare dhe zbatimi i Agjendës së Reformës nën kuadrin e Reformës dhe Mekanizmit të Rritjes së BE-së.”

Lajme të mira nuk vijnë as nga turizmi, sektori që ka udhëhequr rritjen ekonomike në tre vitet e fundit.

“Në aspektin e jashtëm, eksportet e shërbimeve pritet të vazhdojnë të zgjerohen, megjithëse rritja e mbërritjeve të turistëve pritet të zbutet pas rritjeve dyshifrore të viteve të mëparshme.”

Me gjithë parashikimet e zymta, Shqipëria pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor gjatë këtij viti sipas Komisionit Evropian. Më pas renditen Serbia me 3.2 për qind dhe Mali i Zi e Maqedonia e Veriut me 3 për qind. Bosnje dhe Hercegovina pritet të jetë shteti me rritjen më të ulët ekonomike këtë vit me vetëm 2 për qind. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos