Gazetari Neritan Sejamini u shpreh se opozita duhet të kishte pyetur ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha se si do të mbyllen 33 kapitujt e mbetur të integrimit në 18 muajt e mbetur nga viti 2027.
“Opozita ndonjëherë ka atë prirjen që të kritikojë dhe të shajë. Ndërkohë, po të bësh pyetje është më e fuqishme sesa të shash. Nuk i bëri një pyetje thelbësore zotit Ferit Hoxha: “Qeveria shqiptare ka marrë përsipër të mbyllë negociatat deri në 2027. Me këtë erdhi në pushtet. Kanë kaluar pothuajse 20 muaj që kur filluan negociatat. Nuk është mbyllur as gjysmë kapitulli. Ju, zoti ministër, si mendoni se do mbyllen 33 kapitujt e tjerë në 18 muajt e mbetur?”. Pra, ka kaluar më shumë se gjysma e kohës pa miratuar asgjë, madje pa miratuar gjysmë kapitulli, sepse këto objektiva të ndërmjetme janë gjysmë kapitulli. Këtë duhet t’i thoshte ministrit”, u shpreh Sejamini në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Kjo pyetje e vë ministrin përballë përgjegjësisë publike se do të japë një përgjigje, dhe është një pyetje thelbësore e cila jep informacion. Kurse, nëqoftëse ti e kritikon dhe ai mbron, nuk del asgjë. As informacion dhe as atë nuk e vë para përgjegjësisë. Prandaj, ajo që duhet të bënte sot opozita në rezolutë ishte të fuste këtë: “Ne, për hir të integrimit evropian, heqim dorë nga imuniteti i deputetit”. Ky është kontribut për integrimin dhe kjo është diçka që opozitës i interesonte për t'ia ngecur Partisë Socialiste. Ajo s'do e miratonte kurrë këtë gjë. Se ti thuash Partisë Socialiste hiq dorë nga imuniteti, ke futur gjysmën e tyre në burg”, shtoi Sejamini. (A2 Televizion)