Politikani Petro Koçi deklaroi se vendi ka bërë hapa drejt integrimit europian, por shtoi se mund të kishte ecur “shumë më shpejt”, duke theksuar se partitë duhet të reflektojnë dhe “interesa personale të mos vihen mbi një interes strategjik, siç është integrimi europian i vendit”.
Në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, Koçi u shpreh: “Edhe një pjesë e nënkapitujve mund të ishin kaluar tashmë, sidomos nëse kjo çështja e përgjigjes së politikës ndaj drejtësisë do të ishte në standardin e duhur. Kam përshtypjen që do kishim ecur më përpara dhe ndoshta kjo çështje mund të ketë zgjuar pak më shumë vëmendje edhe në nivelin europian për të parë edhe çështje të tjera. Kështu që, unë besoj se ka nevojë për një reflektim më të shpejtë, në mënyrë që interesa personale apo interesa të ngushta grupesh të caktuara të mos vihen mbi interesa publike dhe mbi një interes strategjik, siç është integrimi europian i vendit”.
“Duhet reflektim dhe duhet ndërgjegje e fortë kombëtare për të vepruar ndryshe. Nuk besoj se kjo rezolutë do të vërë në lëvizje ndonjë gjë të madhe nëse nuk ka një reflektim tjetër, që duhet të jetë i brendshëm dhe duhet të jetë brenda forcave politike, kryesisht tek Partia Socialiste, sepse ajo është në qeverisje, që të kemi pastaj rezultate konkrete dhe të shpejta. Patjetër që duhet ky lloj reflektimi, por megjithatë unë kam dëgjuar në publik edhe teza që partitë politike nuk kanë nevojë për demokraci të brendshme. Atëherë, këto s'mund të quhen parti nëse nuk kanë demokraci. Ka një rënie të nivelit të demokracisë te partitë politike. Është një trend global, por mendoj që është një trend i rrezikshëm, jo pozitiv. Sepse i bën partitë politike viktima të grupeve të caktuara dhe të sekteve. Më shumë sot në Shqipëri veprojnë sekte sesa parti të mirëfillta politike. Duhet presion, por unë mendoj që ky presion mungon edhe nga opinioni qytetar, edhe nga shoqëria civile. S'e kemi këtë lloj presioni mendoj dhe përgjithësisht ne merremi me çështje të ditës dhe me shfaqje ose simptoma të sëmundjeve dhe e kemi të vështirë të zbulojmë shkakun e tyre”, shtoi Petro Koçi.
(A2 Televizion)