“Nuk kam dijeni për këtë proces dhe nuk mund të jap detaje, nuk jam i informuar, mbase në daljen tjetër ose me ministrin përkatës mund ta bëni këtë pyetje”. Këtë përgjigje i dha gazetares së A2 CNN, Fjorela Beleshi, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, kur u pyet nëse është Shqipëria shteti ku Kosova mund të mbështetet për të ngritur padi për gjenocid ndaj Serbisë.
Gazetarja Beleshi: Zoti ministër, qeveria e Kosovës po bëhet për të ngritur padi për gjenocid ndaj shtetit serb, por i duhet ndihma e një shteti tjetër që është pjesë e OKB-së. Burimet pranë Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë bëjnë me dije që e kanë gjetur shtetin. A është Shqipëria shteti ku Kosova mund të ngrejë padi?
Ministri Niko Peleshi: Nuk kam dijeni për këtë proces dhe nuk mund të jap detaje, nuk jam i informuar, mbase në daljen tjetër, ose me ministrin përkatës mund ta bëni këtë pyetje.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi foli edhe për vendimin e marrë sot për ngritjen e një komisioni të drejtuar prej tij për festimet e 80-vjetorit të çlirimit që sipas tij, synojnë të nxisin atdhedashurinë te brezat e rinj.
(A2 Televizion)