A2 CNN publikon projektrezolutën, PD: Të krijohen kushtet për bashkimin e demokratëve, fitorja në zgjedhje prioritet

Nga Anesti Barjamemaj
25 Qershor 2024, 18:23 | Politikë
 

Bashkimi i demokratëve është kryefjala e projekt-rezolutës së Kryesisë së Partisë Demokratike që i është propozuar për miratim Këshillit Kombëtar.

Në dokumentin prej tre faqesh, demokratët kërkojnë që çdo opozitar të bashkohet rreth flamurit blu dhe tashmë luftën ta kenë vetëm me Edi Ramën.

“Bashkimi i opozitës nën flamurin e vlerave demokratike është tashmë realitet dhe prioritet absolut i Partisë Demokratike. Aksioni politik i Partisë Demokratike duhet të synojë jo vetëm bashkimin e demokratëve në një front të vetëm përballjeje me narkoshtetin, por bashkimin e të gjithë opozitarëve që qeverinë socialiste të Edi Ramës e konsiderojnë rrezik kombëtar dhe mendojnë se ky regjim duhet luftuar deri në fund dhe pa asnjë kompromis”.

Kjo projektrezolutë detyron të gjitha strukturat drejtuese të PD të krijojnë kushtet për të afruar mbështetësit e Lulzim Bashës, që kërkojnë bashkim dhe jo përçarje.

“Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i bën thirrje strukturave drejtuese të Partisë Demokratike të marrin të gjitha masat dhe të përgatisin të gjitha kushtet për bashkimin e demokratëve dhe qytetarëve në një front të vetëm, duke lënë mënjanë çdo dallim apo mosdakordësi, sepse ajo që bashkon të gjithë opozitarët, rezistenca ndaj narkoshtetit dhe fitorja ne zgjedhjet e ardhshme, janë prioritare”.

Theksi vendoset edhe tek kërkesa për qeveri teknike, si një prioritet i kampit blu për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Projektrezoluta pritet që të miratohet në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ditën e premte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos