Agjenda "Rama"/PS nis lëvizjet, kryeministri mbledh deputetët e ministrat

Nga Fjorela Beleshi
7 Janar 2026, 19:53 | Politikë

Agjenda "Rama"/PS nis lëvizjet, kryeministri mbledh

Kohë trazirash për kampin socialist në këtë fillimvit. Zhvillimet politike të gërshetuara me ato gjyqësore, të mbartura nga viti që lamë pas, kanë diktuar nisjen e lëvizjeve brenda mazhorancës qeverisëse.  

Mësohet se të premten e 16 janarit, kryeministri Rama mbledh grupin parlamentar për herë të parë për këtë vit, pak ditë para sesionit të ri parlamentar. Burime për A2CNN bëjnë me dije se mbledhja e grupit do të dalë jashtë Kuvendit, pasi ky takim është parashikuar të mbahet në Pallatin e Brigadave në orën 10:00.

Gjithashtu, është parashikuar që të jetë një takim ku fjalimet e para do të jenë publike. Ky takim i parë i gjen socialistët përpara disa zgjedhjeve të vështira, siç është vendimi që duhet të marrin për imunitetin e Ballukut në Këshillin e Mandateve.

Gjithashtu, sipas burimeve, në takimet e Kryeministrit është parashikuar edhe një takim analizues me ministrat e qeverisë për objektivat e 2026, ku secili ministër sipas axhendës është parashikuar të flasë 10 minuta. Por, takimi i retreat-it qeveritar edhe mund të mos mbahet për shkak të situatës me përmbytjet.

Përpos këtyre mnledhjeve, socialistët janë në pritje edhe të caktimit të datës për mbledhjen e Asamblesë. Pikërisht, për të diskutuar mbi çështjet e brendshme partiake, mësohet se nesër në orën 9:30, Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, mbledh drejtuesit politik në selinë e Partisë Socialiste. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos