Gjatë prezantimit të drejtorit të ri të AKSHI-t, Igli Tafa, kryeministri Rama theksoi që ai u zgjodh për këtë rol për kapacitetin e tij drejtues, dhe për faktin që kupton gjuhën dhe sfidat e këtij institucioni, raporton A2CNN. Rama u zotua se AKSHI do të ketë pagat më të larta në Shqipëri, në mënyrë që mos konkurrohet nga kompanitë private.
“Do ta bëjmë AKSHI-n që t’i ketë pagat më të larta në Shqipëri dhe mos ketë asnjë ndërmarrje private që ta konkurrojë. Unë jam me ju në këtë vështirësi, sepse më dhemb po aq sa ju cdo goditje e padrejtë dhe e padenjë që i bëhet këtij institucioni për shkak të një çështje që ka rrugën e vet.
Igli është një tjetër rekrut i Shqipërisë digjitale që ka lënë misione dhe punë të tjera, në vende të tjera dhe ka ardhur të shërbejë në një moment dramatik, kur ne u sulmuam nga terrori kibernetik. Kapaciteti i tij drejtues, e dikujt që është pjesë e juaja, që bën të njëjtën gjë, që kupton gjuhën tuaj dhe sfidat tuaja, na bëri bashkë me ministren që t’i kërkojmë të spostohet Brenda të njëjtës godinë. Jam shumë i kënaqur që Igli e mori këtë propozim si një detyrë, jo si një ftesë për të shkuar në një festë, për të mos lejuar që gjithë kjo skuadër të ndihet e padrejtuar”, tha Rama.

Në fjalën e mbajtur Igli Tafa e konsideroi AKSHI-n një institucion jashtëzakonisht të suksesshëm, dhe zemrën e transformimit digjital në Shqipëri.
“Faleminderit kryeministër për besimin. Është një përgjegjësi e jashtëzakonshme të drejtor AKSHI-n, një institucion jashtëzakonisht i suksesshëm, që është zemra e transformimit digjital, që ofron shërbimet për gjithë qytetarët dhe bizneset e vendit. Unë do jem ai i cili që do t’u jap energjinë, përkushtimin dhe eksperiencën time, por ju keni gjithë kapacitetet për ta çuar akoma më lart vizionin e kryeministrit për digjitalizimin e gjitha shërbimeve”.
(A2 Televizion)