Pas bashkimit të dy grupeve protestuese të sheshi para Bashkisë së Tiranës, kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi foli sërish për mediat duke akuzuar policinë për dhunë të paarsyetuar.
Sipas tij policia në mënyrë të paligjshme sulmoi protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës në tre nga pikat ku u protestua.
“Policia është kundër opozitës dhe në shërbim të krimit. Jemi drejt një shteti që nuk njeh ligje, s’njeh Kushtetutë dhe zbaton vetëm urdhra të paligjshme. Në pikat e protestës ishin efektivë pa numër policie pa identifikim, s’e dimë nëse janë anëtarë të bandave, patronazhistë apo çfarë ishin. Në pikat që nuk pati ndërhyrje të dhunshme të Policisë duket se atje ka pasur efektivë që e kanë kuptuar se urdhrat jepeshin me mesazh dhe ishin të paligjshëm. Kurse në dy pikat e tjera kishin marrë urdhër për ta shkelur ligjin”, u shpreh Bardhi.
Pyetjes se kur do të përfundojë protesta dhe si do të veprojë PD pas saj, Bardhi iu përgjigj duke thënë se e kanë qytetarët në dorë dhe do zbatohet vullneti i tyre.
“Protestën e çuam deri në fund, sipas asaj që ishte planifikuar, te Bashkia. Do i bindemi vullnetit të qytetarëve, se deri kur do vazhdojë mosbindja civile. Kështu është kur ke polici nën ombrellën e krimit të organizuar, që lag qytetarët, hedh gaz lotsjellës dhe dhunon. Hapat tona do i bëjmë të ditura hap pas hapi”, tha Bardhi. (A2 Televizion)