Akuzat e Bardhit për vëllanë, Rama: Kallëzim s’paska bërë thotë SPAK-u, nivel i ri pafytyrësie

Nga A2 CNN
25 Prill 2024, 19:05 | Politikë

Kryeministri Edi Rama ka hedhur një lumë akuzash në drejtim të kreut të grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi për (mos)kallëzimin e tij në SPAK, për të vëllanë, Olsi Rama si i përfshirë në dosjen e Xibrakës. Më herët në një dalje për mediat, Bardhi doli me dokumente duke thënë se Olsi Rama ka qenë pjesë i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë dhe se SPAK duhet të nisë hetimet, për shkak se ka prova të reja.

Mirëpo, kreu i qeverisë thotë se e gjitha kjo ka qenë thjeshtë një deklaratë politike e Bardhit, i cili ka hezituar që të bëjë një kallëzim penal në SPAK, për shkak se pa pasur frikë se do të dënohej për shpifje, pasi sipas kreut të qeverisë, vetë Bardhi ishte i sigurt se ato prova të reja që ai pretendonte ishin thjesht mashtrim për konsumin politik të radhës.

Nisur nga këto zhvillime, kreu i qeverisë e cilëson Bardhin si të paburrë që ka mashtruar shqiptarët, që i ka nxirë faqen Shqipërisë në sy të Italisë fqinjve, duke e konsideruar si “një nivel i ri pafytyrësie”.

“Kam bërë kallzim” po kallzim s’paska bërë thotë SPAK-u, ndërkohë që kallzimi që s’qenka bërë iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit të turpshëm për Shqipërinë, të cilëve letrat e kallzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore! Hajde hajde ç’vete! Për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve, ky soj shqiposh ka që në vitin 1912 që nuk le poshtërsi, sajesë, hile e gënjeshtër pa e nxjerrë jashtë kufijve të këtij vendi, po kjo historia e kallzimit të pakallzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë!

S’duhet të jetë burrë se s’ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur. Po s’ka shans që kjo gënjeshtër me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve, siç po dalin shpejt e shpejt cullak faqe italianëve edhe gënjeshtrat që ky soj shqiposh pa atdhe ia dha autorëve të atij emisionit skandaloz, për të kthyer në Itali kohën e vdekur kur Shqipëria ishte vend i zi dhe shqiptarët ishin delet e zeza të Europës", shkruan Rama. 

Për këtë ka një mesazh që i drejtohet jo vetëm kreut të grupit të PD, por edhe kundërshtarëve të tjerë opozitarë.

“Ta harrojë kush e tenton, ajo kohë nuk kthehet më se Shqipërisë dhe shqiptarëve s’u drejtohet dot më askush si të ishin jetimë pa identitet e pa gojë”, përfundoi kreu i qeverisë.

I gjithë reagimit i kryeministri erdhi pasi ditën e sotme SPAK rrëzoi padinë e Olsi Ramës për kallëzim të rremë ndaj kreut të grupit të PD-së me argumentin se “ Gazmend Bardhi ka bërë vetëm deklaratë televizive dhe jo kallëzim në Strukturën e Posaçme Anti-korrupsion”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos