Dakordësia e arritur një ditë më parë mes PS-së dhe Rithemelimit u zyrtarizua në sallën e seancave plenare. Projektligji i amnistisë penale u fut në rendin e ditës dhe pritet që të miratohet ditën e sotme pavarësisht kundërshtive nga PD-ja zyrtare.
Lulzim Basha kërkoi që drafti të kalojë për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve pasi sipas tij po bëhet pazar në kurriz të qytetarëve dhe SPAK.
“Transparenca shërbehet përmes procedurave parlamentare. Amnistia nuk ka qenë në rend dite. Doni ta fusni sot pa kaluar në komisionin e ligjeve dhe na ftoni që çfarë kemi ta themi në salllë. Ju nuk doni që qytetarët të njihen me një amnisti e cila shpërblen zyrtarë të korruptuar dhe të dënuar nga GJKKO dhe ndëshkon opozitarë dhe protestues. Ky pazar i ulët është antidrejtësi, antiSPAK. Përfitojnë të korruptuarit dhe jo protestuesit”, tha Basha.
Por ndryshe mendon ministri Ulsi Manja, i cili deklaroi nga foltorja e Kuvendit se nuk përfiton nga kjo amnisti asnjë zyrtar i dënuar nga GJKKO dhe hetuar nga SPAK.
“Basha i ka thënë lamtumirë dhe zanatit të juristit. Ky mirë që nuk e lexon ligjin, por edhe kur e lexon e shikon mbrapsht. Të gjithë kolegët do të njihen me ligjet dhe propozimet për amnistinë. Por të dalësh dhe të thuash përfitojnë të dënuarit nga GJKKO…kur është e bardha mbi të zezë”, deklaroi Manja.
Pavarësisht se Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj kundërshtuan futjen e projektligjit për amnistinë penale në rendin e ditës, sërish Partia Demokratike zyrtare ka depozituar në Kuvend amendamente për këtë projektligj.
Sipas propozimeve të PD-së zyrtare, që mbajnë firmën e deputetit Alibeaj, kërkohet që të falen të gjithë protestuesit që kanë marrë pjesë në tubime deri më 31 mars 2024.
Po ashtu, demokratët e Bashës kërkojnë që të mos përfitojnë subjeket që janë hetuar nga SPAK dhe janë dënuar nga GJKKO. (A2 Televizion)