Aministia Penale pritet të miratohet në seancën e kësaj së enjtje në Kuvend. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend 4 amendamente për projektligjin e propozuar nga qeveria dhe janë gati të bashkojnë votat me Partinë Socialiste, e cila ka pranuar të heqë nga lista e përfituesve të dënuarit nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion.
Gazment Bardhi, pas mbledhjes me deputetët tregoi kushtet e opozitës për të lehtësuar dënimin e gati 700 të burgosurve dhe personave nën hetim.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i mazhorancës duke mirëpritur këtë të qëndrim të grupit të PD.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në një reagim në mediat sociale bën me dije se Partia Socialiste është gati për të votuar.
“Me kënaqësi të veçantë konstatova se opozita mbështeti variantin e amnistisë së propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, ku as nuk bëhej fjalë për amnistimin e subjekteve të SPAK-ut e të Gjykatës Speciale. Nuk e fsheh dot kënaqësinë që siç e pata deklaruar publikisht për mediat përpara Kuvendit – kur turbullia e një pjese të parlamentit e bënte aministinë të dukej e pashpresë. Aministia Penale do të marrë të gjitha votat e deputetëve!”
Projektligji i amnistisë penale kërkon votat e 84 deputetëve për t’u miratuar, duke e bërë kështu të nevojshëm një bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës në Parlament.
(A2 Televizion)