
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka reaguar për gazetaren e A2CNN Fjorela Beleshi lidhur me ndalimin e katër shtetasve shqiptarë nga autoritetet në Serbi, duke bërë me dije se po e ndjek me vëmendje të plotë rastin përmes Ambasadës së Shqipërisë në Beograd.
MEPJ thekson që ka kërkuar informacion të plotë nga institucionet në Serbi për rrethanat e ndalimit dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve, në përputhje me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd po ndjek me vëmendje të plotë rastin e ndalimit të katër shtetasve shqiptarë nga autoritetet serbe. Menjëherë pas marrjes së informacionit, Ambasada u është drejtuar zyrtarisht institucioneve përkatëse në Serbi dhe ka kërkuar informacion të plotë mbi rrethanat e ndalimit, si dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë, në përputhje me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
“Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente, po ofron të gjithë asistencën e nevojshme konsullore, duke përfshirë edhe kontaktet me familjarët e të ndaluarve dhe mundësimin e kontakteve të tyre me avokatë. Republika e Shqipërisë pret që çdo veprim i autoriteteve serbe të zhvillohet në përputhje të plotë me shtetin e së drejtës, duke respektuar të drejtat themelore dhe garancitë procedurale për çdo qytetar. Situata po ndiqet nga afër dhe çdo zhvillim i mëtejshëm do të trajtohet me seriozitetin maksimal”, vijon reagimi. (A2 Televizion)