Dritan Burgija dhe Arlind Boshku janë përjashtuar për vendimet e tyre dhe jo për mendimet që kanë shprehur. Këtë argument dha Sali Berisha lidhur me vendimin e Flamur Nokës për përjashtimin e dy këshilltarëve bashkiakë në Durrës, shkruan A2CNN.
Sipas Berishës, dy këshilltarët nuk kanë shpërblyer votat e demokratëve në Këshill por kanë shkuar vetëm për të marrë rrogën dhe kanë vepruar kundër interesave të partisë.
“Në qoftë se ti, në fushatë elektorale në betejë, besimin që ta dhanë, sekretar politik dege, e përdor si Dash Sula, atëherë ti e përjashton veten nga partia dhe organet. Në qoftë se punon për kandidatët e PS, dhe jo për kandidatët e PD duke mbajtur postin që ke, ti ke mbajtur një qëndrim që ke nxjerrë veten vetë jashtë partie”, tha kryedemokrati.
Përplasje nuk ka vetëm mes demokratëve, por një konflikt po del në sipërfaqe edhe në kampin rozë mes Elisa Spiropalit dhe Taulant Ballës. I pyetur për këtë çështje, Berisha dha këtë koment, shkruan A2CNN.
“Elisa kërkon qiqra në hell. Elisa kërkon në shpellën e mafies debat të hapur. Pra, kjo është shprehja më e butë që mund të përdorja për kërkesat e Elisës”, u shpreh Berisha.
Gjatë konferencës për mediat, Berisha komentoi edhe deklaratat e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, e cila tha se korrupsioni në Shqipëri është problem kulturor.
“Të akuzosh një shoqëri se pranon korrupsionin, në një kohë kur mbështet hajdutin me të gjithë peshën që ka Komisioni, pak me thënë, po ngjet si ortak i tij. Kaq kam për këtë koment”, tha Sali Berisha. (A2 Televizion)