Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, komentoi në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN ndryshimet e fundit në qeverinë Rama, duke theksuar se i sheh ato si një zhvillim pozitiv, por shton se nuk i njeh emrat e rinj në kabinet. Ai ndaloi edhe te riorganizimi politik në qarqe, duke argumentuar se ndryshimet ishin të nevojshme në prag të zgjedhjeve vendore.
“Më vjen mirë që janë ndërmarrë ndryshime kohët e fundit edhe zhvillimet brenda partisë i shoh si pozitive sepse fillimi i një procesi zgjedhor të brendshëm është gjithmonë një proces që sjell energji të reja. Edhe ndryshimet në qeveri ku janë futur disa personazhe nga Veriu i shoh pozitive, pavarësisht se emrat nuk i njoh dhe s’kam komente konkrete. Janë ndryshuar disa krerë të qarqeve në planin politik, ku nuk mund të ishin më kryetarët e bashkive, sepse jemi në prag të zgjedhjeve vendore, dhe s’mund të jetë normale që një kryetar bashkie të jetë edhe përgjegjës politik i qarkut”, tha Koçi.
Ish-deputeti nuk kurseu kritikat kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, nevojitet një qasje më e fortë dhe më konkrete nga vetë politika, sidomos nga vet mazhoranca.
“A do doja diçka më ndryshe? Patjetër, do doja që të kishim një strategji më konkrete për luftën ndaj korrupsionit, sepse korrupsioni s’mund të jetë vetëm domen i drejtësisë, SPAK-ut, dhe GJKKO-së, por duhet që edhe partitë politike të luftojnë korrupsionin, sidomos kur je në qeveri ke shumë mundësi, me masa administrative, shkarkime, etj.etj”, shprehet ai. (A2 Televizion)