
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Erion Malaj, i ftuar në “Ditarin e pasdites” me Pandi Gjatën, u pyet në lidhje me paralajmërimin e bërë nga Taulant Balla për Elisa Spiropali, pasi kjo e fundit mungoi në seancën kur u votua për imunitetin e Belinda Balluku.
Malaj u shpreh se nuk ka ende një vendim dhe se çdo qëndrim merret vetëm pas diskutimeve në grupin parlamentar.
“Unë nuk marr apo nuk shpall asnjë vendim pa e konsultuar këtë me grupin parlamentar. Nuk kam çfarë të them tani, sepse nuk është diskutuar ende,” tha ai.
Ai theksoi se grupi parlamentar i PS zhvillon mbledhje të rregullta, ku diskutohen të gjitha çështjet dhe votimet që lidhen me seancat e radhës.
Sipas Malajt, deri tani nuk ka pasur asnjë shqetësim apo qëndrim ndryshe nga deputetët për këtë çështje.
“Kur kemi bërë mbledhjet e kaluara, asnjë nga kolegët nuk ka shprehur mendim ndryshe apo shqetësim,” u shpreh ai. (A2 Televizion)