U përjashtua nga PD, Burgija reagon për A2CNN: Nuk ka shans askush të më zerojë kontributet

Nga A2 CNN
25 Mars 2026, 13:05 | Politikë

Dritan Burgija, këshilltar bashkiak në Bashkinë Durrës, në një lidhje direkte me “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN, foli për përjashtimin e tij dhe të kolegut Arlind Boshku nga grupi i këshilltarëve të djathtë.

“U njoha nga mediat me lajmin. Nuk dija të qeshja a të qaja kur mora vesh lajmin. E mora me sportivitet sepse e njoh veten dhe nuk ka shans askush të më zerojë kontributet në Partinë Demokratike”, tha Burgija.

“Kam luftuar shumë që vula t’i shkojë Sali Berishës, jo si person, por që PD-ja të kthehej në shina, të vlerësonte meritokracinë. Por, sot jemi para faktit që ajo vulë po përdoret për të përjashtuar demokratë pa arsye dhe pa fakte. U kthyem në komunizëm, kur dënoheshe pa e ditur se për çfarë”, shtoi Burgija.

Sipas tij, “minimalisht duhej që të vihesha në dijeni, qoftë nga dega, qoftë nga Kryesia në qendër”.

Burgija thekson se ndoshta përjashtimi ka ardhur “nga angazhimi im përkrah Salianjit në një foltore të zhvilluar në Durrës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos