
Sali Berisha ka akuzuar presidentin serb se ka urdhëruar arrestimin e 4 të rinjve shqiptarë në Beograd, pasi shfaqën simbole kombëtare shqiptare gjatë qëndrimit të tyre në territorin serb. Duke dënuar arrestimin e tyre, Berisha e krahason Vuçiçin me Kim Jong Un-in, ndërsa dënon dhe heshtjen e kryeministrit Rama për arrestimin e tyre dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë.
“Së pari, dua të dënoj me forcën më të madhe arrestimin e katër të rinjve shqiptarë në Beograd me urdhër të Aleksandër Vuçiç, kreut të organizatës kriminale të Beogradit. Të rinjtë shqiptarë janë arrestuar për fajin e vetëm se njëri prej tyre ka postuar në Facebook apo Instagram një flamur shqiptar me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Dhe sipas organeve të Beogradit, ka thënë edhe fjalë të papërshtatshme për Serbinë. Ky akt i shëmtuar e barazon Aleksandër Vuçiçin me Kim Jong Un-in, me Ajatollahët e Teheranit dhe tregon një racizëm të papërmbajtur dhe urrejtje ndaj shqiptarëve. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar, të pashembullt dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të të rinjve shqiptarë. Sikundër, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë me forcë këtë akt që tejkalon të gjitha limitet, që mund të ndodhë dhe njëherë vetëm në diktaturat më të zeza. Dënoj gjithashtu, heshtjen e argatit të Vuçiç-it në Tiranë, kreut të organizatës kriminale, Edi Ramës, ndaj aktit të padronit të tij”, shprehet Berisha.
Ai bën thirrje për lirimin urgjent të tyre, përndryshe përndryshe opozita do të protestojë para ambasadës serbe në Tiranë . dhe bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë.
“Katër tifozët nuk kanë kryer asnjë akt përveçse kanë postuar në rrjetin e tyre social status me flamur dhe kanë thënë mendimet e tyre për Serbinë, të cilat sipas Vuçiçit qenkan të ndaluara në territorin e Serbisë të thuash një fjalë të keqe për Serbinë. Kjo është unike në botë. Ky është turp! Ndaj dhe, kërkoj lirimin urgjent, përndryshe opozita do marrë hapat e veta të protestave të fuqishme para përfaqësisë së Beogradit në Tiranë. Ata duhet të lirohen, menjëherë!” (A2 Televizion)