Nervozizmin që ka shkaktuar në kupolën socialiste arrestimi i Erion Veliajt, e mishëroi Edi Rama teksa hasi në një problem teknik në një prej platformave ku po komentonte “live” prangosjen e bashkëpunëtorit të tij.
Kryeministri mori disa orë para se të thyente heshtjen për arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por e bëri të qartë se qasja e tij ndaj SPAK ka ndryshuar. Rama i doli në mbrojtje kryebashkiakut socialist duke përdorur kartën emocionale, me argumente të ngjashme me ato të përdorura edhe nga vetë Veliaj, si kujdesi për fëmijën e çiftit teksa prindërit ndodhen në arrest.
Edhe pse thotë që do ta lexojë dosjen me kujdes, ai ndau një pasazh tjetër me ndjekësit nga dosja, që ka të bëjë me shtëpinë në Qerret.
Prekja e një prej njerëzve më të rëndësishëm të PS nga drejtësia e bëri Ramën që ta pranojë publikisht pakënaqësinë e tij ndaj SPAK, duke folur për një proces ku janë intimiduar dëshmitarët.
Kur opozita e akuzon drejtësinë, për mazhorancën është intimidim, ndërsa kur këtë e bën Kryeministri vetë, e quan qëndrim konstruktiv.
Përveçse këtij parlajmërimi, Edi Rama i kujtoi skuadrës së Altin Dumanit që është qeveria e tij që i jep mbështetjen kryesore financiare, duke i kujtuar edhe nivelin e lartë të rrogave: “Jo po Soros, jo leshi, jo preshi... Qeveria e financon SPAK-un”.
Deri në këto momente duket se nuk do të ketë asnjë nismë për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Si dhe ua bëri të qartë kundërshtarëve politik se as ky rast nuk do ta lëvizë atë nga karrigia e kryeministrit.
Në komunikimin sy më sy me ndjekësit e tij online, kryeministri Edi Rama nuk e preku faktin se në këtë dosje përveç Veliajt, është e përfshirë edhe Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka me procedim penal, për fshehjen e zbardhjes të së vërtetës. (A2 Televizion)