"Artan Hoxha u shpall non grata nga Greqia"- Koka: Turp që Shqipëria s'ka reaguar, Athina e bëri Belerin eurodeputet për inatin tonë

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2025, 22:42 | Politikë

Gazetari Bledian Koka ka dënuar mos-reagimin e shtetit shqiptar pas shpalljes së gazetarit Artan Hoxha si person non grata nga Greqia.

Në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, Koka u shpreh se një shtet serioz duhet të reagonte në një rast të tillë, pasi sipas tij, është kritike që një vend i BE-së të sanksionojë një gazetar.

Koka solli për analogji edhe rastin e Fredi Belerit, duke thënë se pasi ai u burgos në Shqipëri, shteti grek bëri namin, madje edhe duke e bërë eurodeputet për inat të autoriteteve të vendit tonë.

“Ky informacion vjen në ditën kur sot Greqia ka shpallur non grata një koleg tonë të nderuar që është Artan Hoxha dhe që qeveria shqiptare nuk ka thënë asnjë fjalë. Ndryshe çfarë bëri qeveria greke, që kur i arrestuam ne Fredi Belerin bëri namin, madje e mori Belerin dhe nga inati i Shqipërisë e bëri edhe eurodeputet.

Sepse ky është si reagojnë shtetet serioze në raport me interesat e tyre. Dhe sot e gjithë ditën, as Ministria e Jashtme dhe as ministrja e jashtme vetë, nuk kanë bërë një deklaratë sa i takon dizenjimit non grata të Artan Hoxhës, që është një gazetar investigative.

Sigurisht që është kritike për një vend të BE-së që sanksionon një gazetar. Dhe nuk është rasti i parë, por i dyti që ka bërë Greqia, pas asaj që bëri me një tjetër koleg të nderuar, Marin Mema”, tha mes të tjerash Koka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos