As në grup, as në interpelancë! Berisha merr vulën, por PS i tregon dhe vendimin e GJKKO

Nga Ervin Koçi
12 Qershor 2024, 16:00 | Politikë

Ndonëse prej 6 muajsh nuk ka shkelur në sallën e Kuvendit, Sali Berisha u bë kryefjalë e debatit në seancë plenare. Pa nisur ende mirë punimet, demokratët ngritën zërin duke kërkuar që të njoftohet përfshirja e Berishës si anëtar i grupit parlamentar të PD-së, sidomos pas vendimit të Apelit që e njohu edhe “de jure” si drejtues të kësaj force politike.

Emri i kryetarit të PD-së u shqiptua më fort kur maxhoranca rrëzoi me votë kërkesën e 7 demokratëve për të zhvilluar një interpelancë urgjente me Edi Ramën, pasi firmëtari i parë ishte Sali Berisha, dhe këtë emër drejtuesja e seancës nuk pranoi ta lexonte.

Sali Berisha ka shkelur për herë të fundit në Parlament më 21 dhjetor 2023. Nëntë ditë më pas ai u vu nën masën shtrënguese të arrestit të shtëpisë dhe që atëherë gjykata i ka refuzuar pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit. Për pasojë, ditët në vijim mund të plotësojnë edhe periudhën 6 mujore pas të cilës deputeti rrezikon mandatin për shkak të mungesave.

Kushtetuta në vetvete ka një klauzolë të qartë, se mandati ndërpritet nëse deputeti mungon gjashtë muaj pa arsye. Por a konsiderohet mungesa e Berishës pa arsye?

Përgjigjen e kësaj pyetje nuk di ta japë as vetë Kuvendi i Shqipërisë, që llogarit edhe ditët e punës së deputetëve. A2 CNN, në një korrespondencë disa javore me kërkesa zyrtare për informacion drejtuar Kuvendit, kërkoi të kuptonte nëse mungesat e Berishës janë me arsye apo jo.  Në tre raste përgjigja ishte pa përgjigje, me justifikimin se kërkohet një interpretim për të nuk dihet a do të përmbushen kushtet.

“Kuvendi ju ka informuar se nëse do të plotësohen kushtet e përcaktuara në nenin71 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për mbarimin e mandatit të deputetit, do të shprehet publikisht. Pyetjet qe ju na keni drejtuar janë çështje interpretimi. Kur te kemi interpretimin dhe konkluzionet nga shërbimet përkatëse, do të behën publike.”

Paradoksale në këtë përgjigje është fakti që për t’i ndërprerë mandatin një deputeti, i duhen matur mungesat në 6 muaj, dhe një gjë të tillë Kuvendit e ka bërë duke i ndërprerë pagat që nga data 1 janar 2024, por zyrtarisht nuk pranon të shprehet për këtë çështje.

Pyetja që lind, është, kush do ta interpretojë Kushtetutën në rastin e Sali Berishës meqë vetë Kuvendi nuk di ta bëjë? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos