"Duhet xhaketë e re", Kalaja kundër marrëveshjes Rama-Berisha për Kodin Zgjedhor: S'ka nevojë për arnim

Nga A2 CNN
30 Tetor 2025, 21:49 | Politikë

Ish-kandidati për deputet i PD-së për zgjedhjet e 11 majit, Aulon Kalaja, ka reaguar ashpër ndaj Partisë Demokratike për dakordësinë e shprehur me kryeministrin Edi Rama për Kodin Zgjedhor. Në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN ai tha se Kodi Zgjedhor nuk ka nevojë për arnim, sikurse veprohet prej vitesh sa herë ka zgjedhje, por duhet një analizë e thelluar.

“Për kodin zgjedhor janë votime të pastudiuara, duhet të vinin nga një analizë nga marrëveshja e 2008. Janë çështje madhore. Nuk na janë mbyll plagët e 11 majit e kemi quajtur farsë zgjedhore dhe bashkojmë votat me Ramën për arnimin e Kodit Zgjedhor. Kemi një xhaketë të vjetër dhe e qepin sa herë. Duhet ndërruar xhaketa, duhet xhaketë e re, se nuk i shkon kjo më Shqipërisë. Ulu sa herë ka zgjedhje rishiko kodin zgjedhor”, tha Kalaja në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Kalaja nuk e quan të moralshme këtë marrëveshje për kodin Zgjedhor nga ana e PD-së në një kohë kur ka ndërmarrë iniciativa për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi dhe presidentit të Republikës Bajram Begaj apo kur quan farsë zgjedhjet e 11 majit.

“Si mund të bashkosh votat kur ke marrë iniciativë për shkarkimin e kryetarit të kuvendit presidenti, komision hetimor parlamentar, farsë zgjedhore. Nuk është moment moral që ta lidhë opozitën me mazhorancën. A është diskutuar me partitë e vogla? Çfarë e penalizoi PD për zgjedhjet e 11 majit” deklaroi Kalaja në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij këto janë projekte madhore që vendosin për fatet e Shqipërisë.

Kur bëhet kodi zgjedhor duhet të ulen profesorët, jo këta që janë analfabetë funksionalë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos