Asambleja Kombëtare e PR, Mediu: Bashkimi i opozitës, e vetmja rrugë përballë Ramës

Nga A2 CNN
2 Qershor 2024, 14:11 | Politikë

Nga Asambleja Kombëtare e Partisë Republikane, kryetari Fatmir Mediu argumentoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar përbëjnë rrezikun më të madh për Shqipërinë. 

“Blerja masive e zgjedhjeve, kërcënimi i votuesve, bashkëpunimi i hapur me krimin, krijimi i një administrate politike zgjedhore, me patronazhistë dhe aktivistë, kishin dhe kanë një qëllim të vetëm: kontrollin e jetës suaj, të shoqërisë shqiptare, duke krijuar bindjen se ka një Zot, që nuk është ai për të cilin folët ju, por është Edi Rama. Përballë nesh ka dy rrugë: të ulim kokën ose të ngrihemi. Të luftojmë, të ndërtojmë fatin tonë, të familjeve tona, vendit tonë. Ka edhe një rrugë tjetër, e cila po kthehet në një rrugë shkatërruese e identitetit, të ardhmes sonë politike dhe sociale të Shqipërisë, largimi i të rinjve, i të rejave, intelektualëve nga Shqipëria. Largimi i një milionë shqiptarëve është krimi më i madh i qeverisë socialiste. Kjo për arsyen se Shqipëria është bërë e pajetueshme nga kjo qeveri, për pjesën më të madhe të shqiptarëve”, tha Mediu.

Garantimi i koalicioneve zgjedhore përmes Reformës Zgjedhore, gara me lista të hapura, vota e diasporës, ndëshkimi i partive dhe deputetëve që manipulojnë zgjedhjet, sipas Mediut, duhet të jenë disa nga objektivat parlamentarë, pa harruar hapjen e partive opozitare ndaj të rinjve: “Opozita nuk mund të katandiset në qëllimin se kush do të jetë deputet, por duhet ta shohë Parlamentin si vendin ku shqiptarët shikojnë dhe dëgjojnë mundësinë për të ardhmen dhe shpresën e tyre. Opozita nuk mund të mbyllet në meskinitet dhe interesat e vogla përjashtuese të disa individëve, por duhet të hapet dhe të vendosë në bazë të disa vlerave të saj konkurimin, gjeneratën e re, vlerat më të mira. Opozita e liderëve duhet të ndryshojë dhe të bëhet opozita e shqiptarëve, që krijon hapësirën në Kuvend, nëpërmjet garës, gjeneratën e mrekullueshme të të rinjve e të rejave që jetojnë këtu në Shqipëri dhe në vende të tjera”. 

Si nismëtar i bashkimit të opozitës në një fedaratë, Mediu nguli këmbë në forcimin e këtij organizimi, për ta kthyer atë në një koalicion opozitar me program dhe me logon e vet: “Ne do të kemi besimin dhe mbështetjen e njerëzve, kur të kuptojmë se fati ynë është i lidhur me shqiptarët dhe jo e kundërta, që fati i shqiptarëve qenka i lidhur me ne. Dhe po vij tek detyra jonë, federata apo konfederata e opozitës, quajeni si të doni, sepse opozita e bashkuar është rruga e vetme për të mposhtur të keqen e kësaj qeverie. Sepse opozita nuk duhet vetëm në Tiranë, por duhet të jetë në çdo skaj. Bashkimi i opozitës nuk mund të funksionojë vetëm si takim i kryetarëve të opozitës në Tiranë, por duhet të funksionojë në çdo qark, në çdo bashki. Me çdo individ. Çdo individ ka vlerë, por duke qenë bashkë fiton 100 herë më shumë vlerë për të qëndruar dhe luftuar së bashku”. 

Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, Kryetari i PR, Fatmir Mediu tha se Federata e Opozitës duhet të ndërtojë marrëdhëniet me SHBA, BE dhe NATO-n.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos