Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi nga selia e PD-së se protesta dhe revolta qytetare do të vijojnë deri në largimin e qeverisë. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama si destabilizuesin e Shqipërisë, duke theksuar se, asgjë nuk e ndalon revoltën qytetare derisa banda e hajdutëve t’i lërë vendin një zgjidhjeje politike.
“Të jeni të sigurt, asgjë nuk e ndalon revoltën qytetare, derisa pushteti i hajdutëve, banda e plaçkitësve t'i lirojë t'i lirojë vendin një zgjidhjeje politike, deri atëherë nuk ka ndalim nga opozita. Destabilizuesi i Shqipërisë ka vetëm një emër Edi Rama”.
Noka i quajti qëndrestarë protestuesit, duke shtuar se ata treguan vendosmëri dhe sakrificë.
“I përshëndes dhe i falënderoj të gjithë qëndrestarët që sot treguan se janë të vendosur të mos i ndahen betejës së tyre. Është mision. Të gjithë sot opozitarët që ishin në shesh treguan që misioni është më i shenjtë se çdo sakrificë”, theksoi ai.
Sipas Nokës, gjatë ndërhyrjes së policisë pati përdorim gazi dhe të plagosur mes protestuesve, ku sipas tij u prekën edhe besimtarë që po kryenin ritualet e muajit të Ramazanit.
“Besimtarët që po bëjnë sakrificë për Ramazanin aty u masakruan. si të ishin bagëti të futura në thertore duke u rrethuar dhe duke u hedhur gaz nga të gjitha anët. U masakruan edhe qytetarët, por misionarët nuk ndalën. Duhet të jeni të sigurt. Nuk na ndal as me gaz, as me terror, as me asgjë. Ju e patë të riun që e plagosën aty, që ra pa ndjenja gjysmë ore. As do t'ia dijë kush. Jo askush”. (A2 Televizion)