“Sot ne jemi uragani, jemi forca, jemi opozita e vërtetë! Do të shpëtojmë Shqipërinë”. Kështu deklaroi Sali Berisha gjatë fjalës së tij para mbështetësve në protestën kombëtare. Duke iu referuar fillimeve të pluralizmit në vitin 1991, ai tha se ashtu si atëherë, edhe sot opozita do të provojë vendosmërinë e saj përballë qeverisë aktuale.
“Në vitin 1991, pak muaj pas themelimit dhe me të drejtë, të gjithë ata që na shikonin, shtronin pyetjen kur shihnin shtatoren e diktatorit, a janë në opozitë këta apo nuk janë në opozitë? Por një ditë ne u faktuam shqiptarëve dhe botës se ishim opozitë, dhe ishim opozita më e guximshme e Europës. Dhe ishim opozita që u përballëm në një betejë epike të pashembullt me diktatorin më gjakësor dhe e shembëm atë. Sot, përsëri, sytë e Europës, sytë e mbarë botës, sytë e shqiptarëve, mendjet, zemrat e tyre janë të drejtuara tek ne, tek ne dhe vetëm tek ne. Por në qoftë se 35 vite më parë me të drejtë pyesnin, a janë apo nuk janë në opozitë këta, sot pas betejave tona, pasi u ngritëm si Feniksi nga hiri, nuk pyet kush më jemi apo nuk jemi, jemi uragani, jemi forca, jemi opozita e vërteta. Do shpëtojmë Shqipërinë”, u shpreh Berisha.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për censurë, manipulim zgjedhor dhe lidhje me krimin e organizuar, ndërsa premtoi rikthimin e mediave dhe zgjedhjeve të lira.
“Edi Rama, ky armik i egër i qenies së shqiptarëve, njëlloj si babai i tij shpirtëror, ka vendosur mbi shqiptarët censurën, mashtrimin, mashtrimin dhe censurën. Me mediat e tij të ushqyera si shushunjëza nga paratë e qytetarëve që vjedh në prokurime publike dhe pasuri publike, qytetarët dëgjojnë nga mënëgjesi gjer në darkë mashtrime dhe vetëm mashtrime. Glorifikimin e të keqes, të krimit, të vjedhjes. Demonizimin e opozitës, censurimin e opozitës. Dhe përsëri në një rreth vicioz, mashtrimi kthehet në votë dhe vota në mashtrim. Por ja ku jemi sot këtu më shumë se kurrë për t’u zotuar se ne do rikthejmë mediat e lira në Shqipëri, do rikthejmë zgjedhjet e lira në Shqipëri dhe se Shqipëria do të jetë një vend normal, një vend i bekuar siç e ka bërë Zoti, vendi i njerëzve të lirë”.
Ai paralajmëroi se në një qeverisje të ardhshme të opozitës, vjedhja e qytetarëve do të shpallet krim i rëndë dhe se, sipas tij, nuk do të ketë “vrimë miu” për askënd që ka abuzuar me fondet publike.
“Ta dinë mirë se edhe prapa diellit po të shkojnë, ne do t’i gjejmë ata, ne do t’i ndëshkojmë ata me forcën e ligjit. Miqtë e mi, Shqipëria e lirë, Shqipëria e qytetarëve të lirë do të shpallë vjedhjen e qytetarëve krim të rëndë. Do ndëshkojë dy herë më shumë qeveritarët që arratisen. Miq, drejtorë dhe të tjerë braktisin Shqipërinë me shpresën se do mund të shpëtojnë. As ju, as Lubia, as Edi Rama, vrimë miu nuk do gjeni”. (A2 Televizion)