Propozimi i socialistëve për të ashpërsuar ndëshkimet ndaj deputetëve, parashikuar në Rregulloren e Kuvendit, nuk është një surprizë për Sali Berishën.
Në një konferencë për mediat, kreu i Rithemelimit pohoi se sipas tij Edi Rama mund të marrë çdo masë kundër opozitës.
“Ai kur ka bërë grusht shteti brenda shtetit dhe merr kompetencat e parlamentit vetë në dorë, ai është i aftë të propozojë çdo ligj dhe çdo masë. Problemi është se mosbindja civile do të vazhdojë qoftë edhe me një deputet të vetëm të PD që do mbetet aty. Ai do marrë përgjigjen që meriton”.
Ish-kryeministri qartësoi se deputetët e Partisë Demokratike nuk do bëjnë asnjë hap pas në aksionin e tyre dhe shtoi se ka nisur edhe reagimi në popull.
“Deputetët e opozitës do qëndrojnë me të gjithë qëndresën e tyre. Kjo është betejë pa kthim. Beteja pa kthim është beteja pa kthim. Gjithnjë e më shumë po zien Shqipëria kundër këtij regjimi”.
Edhe pse flet për reagim popullor kundër qeverisë, Berisha sërish nuk tregoi një datë se kur do jetë pika kulmore e protestës parlamentare, pasi sipas tij do të jenë qytetarët ata që do ta vendosin.
“Vlimi është vlim dhe shpërthimi është shpërthim. Kalohet nga vlimi në shpërthim do thoni ju, dhe do të ndodhë. Do thoni ju cila është dita, nuk e kam ende këtë ditë, por do jem më shumë qytetarët që do e përcaktojnë këtë gjë”.
Kreu i Rithemelimit pohoi sërish se bojkoti parlamentar nuk është një skenar i tyre, pasi sipas tij vetëm me protestë mund të arrihen qëllimet e opozitës. (A2 Televizion)