“Ata duhet të ulin flakadanët dhe të flasim”, Çuçi: Komisionet hetimore nuk janë miratuar për objektin

Nga A2 CNN
7 Dhjetor 2023, 11:26 | Politikë

Komisionet hetimore do të ngrihen sipas përcaktimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kështu u shpreh kreu i grupit socialist, Blendi Çuçi, në një deklaratë për mediat pas miratimit mes flakdanëve, të buxhetit dhe paketës fiskale.

“Diskutimet kanë qenë të plota shteruese dhe puna më e madhe bëhet në komisione sa i takon ligjeve kaq të rëndësishme sa buxheti. Seancat plenare bëhen për t’u miratuar. Ka një anomali të sjellë nga opozita. Komisionet hetimore janë e drejtë legjitime e opozitës. Nuk e kemi mohuar e kemi shprehur qartë se komisionet hetimore që ka sjellë opozita nuk janë miratuar për objektin. Objekti duhet të vijë sipas kërkesës kushtetuese. Pse ata nuk e sjellin sipas kërkesës kushtetuese? Pse nuk e çojnë në gjykatë kushtetuese vendimin që kemi marrë ne për ta hedhur poshtë komisionin hetimor? Këto pyetje duhet t’ia bëni opozitës. Komisionet hetimore do të ngrihen sipas përcaktimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vijmë te propozimi i ri”.

Në këto kushte, ai tha se mazhoranca ka kërkuar bashkëpunim me opozitën për hartimin e ligjit të ri për komisionet hetimore, duke marrë në konsideratë edhe ligjet e vendeve të BE-së.

“Prandaj ne kemi pritur një bashkëpunim në hartimin e ligjit për ndryshime në komisionet hetimore. Ne bëmë variantin tonë dhe varianti që kemi çuar kënaq edhe deputetë të opozitës dhe që kanë të bëjnë me objektin dhe saktësinë që duhet të ketë për komisione hetimore. Kemi marrë në konsideratë edhe ligjet europiane dhe kryesisht atë gjerman për funksionimin e komisioneve hetimore.

Kemi marrë në shqyrtim disa rregullore parlamentare të BE-së, kryesisht Italia dhe Gjermania, opozita është e mirëseardhur kemi shumë forume ku jemi bashkë. Ata vijnë vetëm jashtë, kemi komisione, sekretariate, seanca plenare, kemi këshilla, konferencë kryetarësh. Ata nuk vijnë. Jemi gati të dialogojmë për të mirën e shqiptarëve. 

I pyetur për thirrjen e ndërkombëtarëve për dialog Çuçi u shpreh: Grupi i PS-së nuk e vendos agjendën sipas thirrjes që bëjnë ndërkombëtarët, unë nuk shoh trysni nga partnerët për këtë çështje. Ne jemi në institucione ata mungojnë, prishin, dhunojnë institucionet. Të dyja palët janë të qarta në pozicionet e tyre. Unë nuk mund të marr një flakadan dhe t’u them hajde flasim, ata duhet të ulin flakadanët dhe të flasin”.

Sa i takon konsensusit për reformën zgjedhore, kreu i grupit PS-së tha se nuk mund ta ulë me dhunë në tavolinë opozitën, ndërsa situatën aktuale ia faturoi krizës brenda PD-së.

“Lidhet me konsensusin nuk mund t’i marrim me dhunë dhe t’i ulim në tavolinë. Kriza që ka ndodhur në PD është shumë e thellë dhe nuk jemi ne shkaktarët e kësaj krize, por mos prisni që PS të jetë instrumenti që zgjidh krizën brenda PD-së."

Lidhur me propozimin e PS-së për ndryshimin e rregullores, ai tha se edhe Gjermania e Italia kanë sanksione të rënda për ata që dhunojnë dhe pengojnë seancat plenare.

“Rregullorja përcakton rregulla dhe masa për atë që prish, dhunon e pengon zhvillimin e rregullt të një seance parlamentare. Ne po shohim të gjitha rregulloret e BE-së. Ju e dini sa e ka përjashtimin Italia, 15 seanca plenare përjashtohesh në Itali. Të gjitha parlamentet e BE-së kanë sanksione të forta kur bëhet fjalë për dhunë e pengim ndaj seancave plenare.”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos